Një raketë balistike e lëshuar nga Irani drejt Turqisë është shkatërruar në ajër nga sistemet e mbrojtjes së NATO-s, sipas njoftimit të Ministrisë turke të Mbrojtjes.

Sipas autoriteteve turke, raketa u identifikua teksa kalonte përmes hapësirës ajrore të Irakut dhe Sirisë dhe po drejtohej drejt hapësirës ajrore turke. Sistemet e mbrojtjes ajrore të NATO-s në Mesdheun lindor ndërhynë duke e rrëzuar para se të hynte në territorin turk.

Ministria e Mbrojtjes e Turqisë bëri të ditur se nga incidenti nuk raportohet për viktima apo të plagosur.

Në reagimin zyrtar, Ankaraja theksoi se është plotësisht e gatshme të mbrojë territorin dhe qytetarët e saj nga çdo kërcënim.

“Ndërkohë që Turqia qëndron për stabilitetin dhe paqen rajonale, ajo është plotësisht e aftë të mbrojë territorin dhe qytetarët e saj, pavarësisht nga burimi i çdo kërcënimi. Të gjitha hapat e nevojshëm për të mbrojtur territorin dhe hapësirën tonë ajrore do të merren pa hezitim”, thuhet në deklaratë.

Autoritetet turke paralajmëruan gjithashtu se vendi ruan të drejtën për t’iu përgjigjur çdo akti armiqësor ndaj territorit të tij dhe u bënë thirrje palëve të përfshira në konflikt të shmangin veprime që mund të përshkallëzojnë më tej situatën në rajon.

Sipas ministrisë, Turqia do të zhvillojë konsultime me NATO-n dhe aleatët e saj pas këtij incidenti.

Ngjarja konsiderohet si një tjetër zhvillim i rrezikshëm në konfliktin që po përshkallëzohet në Lindjen e Mesme, pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit dhe kundërpërgjigjeve të Teheranit në rajon.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu