
Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara (CENTCOM) ka deklaruar se forcat amerikane janë mbrojtur me sukses ndaj “qindra” raketave dhe dronëve iranianë të lëshuar gjatë ditës së sotme.
Sipas njoftimit zyrtar, nuk ka raportime për viktima apo të lënduar në radhët e ushtrisë amerikane, ndërsa dëmet në instalimet ushtarake janë cilësuar si “minimale” dhe pa ndikim në operacione.
Operacioni amerikan, i nisur në orën 06:15 GMT, ka pasur në shënjestër:
- Qendrat e komandës dhe kontrollit të Gardës Revolucionare Islamike
- Kapacitetet iraniane të mbrojtjes ajrore
- Vend-lëshime raketash dhe dronësh
- Aeroporte ushtarake
Sipas deklaratës, janë përdorur municione precize nga ajri, toka dhe deti. Gjithashtu, Task Forca “Scorpion Strike” e CENTCOM ka përdorur për herë të parë në luftime dronë sulmues njëpërdorimësh me kosto të ulët.

Teherani: Po veprojmë në vetëmbrojtje
Në një intervistë për Al Jazeera, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, deklaroi se veprimet iraniane janë në vetëmbrojtje.
“Po përballemi me një akt të paprovokuar agresioni. Kemi të drejtën, sipas ligjit ndërkombëtar, të mbrojmë veten me të gjitha mjetet”, tha ai, duke shtuar se forcat e armatosura iraniane po mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.
201 të vrarë dhe 747 të plagosur në Iran
Ndërkohë, një zëdhënës i Gjysmëhënës së Kuqe iraniane i tha agjencisë Mehr se sulmet amerikano-izraelite kanë goditur 24 provinca të Iranit.
Sipas tij, të paktën 201 persona janë vrarë dhe 747 janë plagosur. Më shumë se 220 ekipe të Gjysmëhënës së Kuqe janë të angazhuara në zonat e goditura dhe operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë.






