
Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës për zhvillimin e një tubimi më 28 shkurt 2026, në orën 18:00, para Kryeministrisë.
Në një reagim zyrtar, Policia e Tiranës bën me dije se, nisur nga incidentet e ndodhura gjatë tubimit të mëparshëm – ku u evidentuan akte dhune, përdorim i mjeteve të rrezikshme ndaj punonjësve të Policisë, pjesëmarrja e personave të maskuar dhe përfshirja e të miturve – si dhe nga informacionet mbi mundësinë e përsëritjes së këtyre veprimeve, i është kthyer përgjigje organizatorëve se nuk merr përsipër garantimin e zhvillimit të tubimit.
Megjithatë, Policia thekson se, në përmbushje të detyrave funksionale, ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në qytetin e Tiranës, për mbrojtjen e institucioneve shtetërore dhe për lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve, në rast se tubimi do të zhvillohet.
Në fund, Policia e Tiranës apelon që qytetarët, nëse ndeshen me veprime të dhunshme, të distancohen dhe të denoncojnë çdo paligjshmëri që konstatojnë.






