I vegjël, të heshtur dhe aktivë natën, iriqët europianë kanë bashkëjetuar me njeriun për mijëra vite. Por sot kjo specie e lashtë, e pranishme në Tokë prej mbi 15 milionë vitesh, po përballet me një krizë të paprecedentë.

Studime të fundit nga Universiteti i Torinos, në bashkëpunim me qendra të specializuara për rehabilitimin e kafshëve, tregojnë se pothuajse 90% e iriqëve vdesin për shkaqe infektive ose traumatike, në shumicën e rasteve të lidhura drejtpërdrejt me ndikimin njerëzor në mjedis.

Specia Erinaceus europaeus, e përhapur në Europën qendrore dhe perëndimore, ka braktisur gradualisht habitatet natyrore për t’iu afruar zonave urbane. Qytetet ofrojnë strehë dhe ushqim, por fshehin rreziqe vdekjeprurëse si trafiku, makineritë e kopshtarisë dhe fragmentimi i habitatit.

Jo rastësisht, IUCN e ka futur iriqin në Listën e Kuqe të specieve në rrezik.

Infeksionet, parazitët dhe ndryshimet klimatike

Analiza e gati 400 iriqëve të gjetur të ngordhur në katër vitet e fundit zbuloi se infeksionet përbëjnë shkakun kryesor të vdekjes. Mbi 80% e individëve të ekzaminuar rezultonin të infektuar me parazitë pulmonarë.

Baktere që normalisht janë pak patogjene bëhen agresive te kafshët e dobësuara, shpesh duke treguar rezistencë ndaj antibiotikëve. Ky fenomen lidhet me përdorimin e pakontrolluar të pesticideve, barnave dhe dezinfektantëve, si dhe me degradimin e përgjithshëm të ekosistemeve.

Verat gjithnjë e më të nxehta dhe dimrat e butë po reduktojnë popullatat e insekteve, burimi kryesor i ushqimit për iriqin. Si pasojë, ata ushqehen më shumë me kërmij, që janë bartës të parazitëve potencialisht vdekjeprurës.

Ndryshimet klimatike kanë ndikuar edhe në ciklin riprodhues. Sot vërehen pjellje të dyta në vjeshtë, por shkalla e mbijetesës së këlyshëve është shumë e ulët, me deri në 90% vdekshmëri.

Një sinjal alarmi për ekosistemin

Sipas ekspertëve, iriqët janë një sinjal për shëndetin e mjedisit, sepse jetojnë në kontakt të drejtpërdrejtë me tokën dhe organizmat që grumbullojnë ndotës. Gjendja e tyre pasqyron shëndetin e ekosistemeve që mbështesin edhe jetën tonë.

Rënia e iriqëve nuk është një histori e izoluar, por një paralajmërim serioz. Urbanizimi, bujqësia intensive, pesticidet dhe ndryshimet klimatike po e ndryshojnë thellësisht ekuilibrin natyror.

Mesazhi është i qartë: mbrojtja e iriqëve do të thotë mbrojtje e mjedisit dhe, në fund, e vetë njerëzimit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu