
Tiranë – Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka replikuar ashpër në Kuvend me ministren e Brendshme Albana Koçiu, e cila mbrojti veprimet e Policisë së Shtetit gjatë protestës së opozitës më 24 janar, duke i cilësuar ato si të ligjshme dhe proporcionale.
Nga foltorja e Parlamentit, Zhupa akuzoi qeverinë se ka përdorur Policinë e Shtetit si “terroristë” kundër qytetarëve, duke pretenduar se ndaj protestuesve është ushtruar dhunë joproporcionale, përfshirë përdorimin e gazit lotsjellës të skaduar, që sipas saj përbën rrezik serioz për shëndetin publik dhe shkelje të konventave ndërkombëtare.
“Kur shteti shqiptar përdor gaz lotsjellës të skaduar, rrezikon shëndetin publik dhe shkel konventat ndërkombëtare. Si parlamentarë duhet të jemi të shqetësuar për disproporcionin e përdorur ndaj protestuesve paqësorë”, u shpreh Zhupa, duke shtuar se gjatë ndërhyrjes janë rrezikuar qytetarë, janë goditur persona me aftësi të kufizuara dhe janë shoqëruar apo ndaluar të mitur.
Deputetja e PD-së theksoi se këto veprime bien ndesh me standardet europiane dhe dëmtojnë procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ajo akuzoi mazhorancën se ka humbur lidhjen me realitetin, ndërsa kritikoi ashpër prioritetet buxhetore të qeverisë.
Zhupa solli si shembull financimin prej 2.2 milionë eurosh për sportin e padelit, duke e konsideruar të papranueshme në një kohë kur, sipas saj, mungojnë ilaçet në pediatri, infermierët nuk marrin pagat, shkurtohet buxheti i arsimit dhe nuk paguhet transporti i mësuesve.
“Ju mbytnI qytetarët me gaz, shkatërroni arsimin, shëndetësinë dhe pronat, e më pas vini këtu e flisni për arritje imagjinare”, deklaroi Zhupa.
Ajo theksoi se protesta është një e drejtë kushtetuese dhe se qytetarët, sipas saj, kanë reaguar ndaj institucioneve që i cilësoi si të korruptuara, duke akuzuar qeverinë për lidhje me narkotrafikun. Sipas Zhupës, Policia e Shtetit nuk duhet të përdoret kundër qytetarëve, por të mbrojë rendin dhe ligjin.






