
Policia e Shtetit ka finalizuar fazën e 80-të të operacionit policor të koduar “Operacionalja”, duke lokalizuar dhe kapur në Tiranë një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje të trefishtë në Maqedoninë e Veriut.
Bëhet fjalë për shtetasin Besim Sherifi, 52 vjeç, banues në Kopanicë, Saraj (RMV), i cili fshihej prej kohësh në kryeqytet, duke përdorur dokumente identifikimi të falsifikuara, në emër të një shtetasi nga Kosova.
Lokalizimi dhe kapja e tij u realizuan në zonën e Liqenit të Thatë, pas disa muajsh hetime dhe kërkime intensive nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale.
Nga verifikimet e thelluara rezultoi se 52-vjeçari ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Shkupi, pasi Gjykata e Shkupit, në vitin 2007, i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vrasja”, për të cilën legjislacioni penal i Maqedonisë së Veriut parashikon dënim maksimal burgim të përjetshëm.
Sipas autoriteteve, shtetasi Besim Sherifi dyshohet se më 05.10.2007, në fshatin Kopanicë, Shkup, ka vrarë me armë zjarri tre shtetas.
Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit të banesës, policia ka gjetur dhe sekuestruar:
- 1 pasaportë kosovare
- 1 kartë identiteti kosovare
- 1 leje për drejtim automjeti
të gjitha të falsifikuara, me gjenealitetet e një shtetasi nga Kosova.
Për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme ligjore.
Ndërkohë, Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Shkupin, po vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Maqedonisë së Veriut.






