
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përkujtuar 20-vjetorin e vdekjes së ish-Presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, duke e cilësuar atë si figurë kyçe të shtetndërtimit, pluralizmit politik dhe ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës.
Kurti ka theksuar se periudha e demokratizimit dhe e ndërkombëtarizimit të Kosovës është e lidhur ngushtë me emrin e Rugovës, i cili ishte kryetari i parë dhe më jetëgjatë i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), nga themelimi i saj më 23 dhjetor 1989 e deri në vdekjen e tij më 21 janar 2006.
“Konsistenca e tij në rezistencën paqësore dhe urtësia në mendim e veprim i hapën rrugë Kosovës në forume dhe tryeza ndërkombëtare, deri në takime me liderë botërorë, përfshirë edhe Presidentin e SHBA-së, Bill Clinton”, ka theksuar Kurti.
Ai ka vënë në pah rolin e Rugovës në orientimin perëndimor të Kosovës dhe në artikulimin e drejtë të çështjes së saj në arenën ndërkombëtare, duke shtuar se Rugova ishte Presidenti i parë i Kosovës si para ashtu edhe pas çlirimit.






