Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në fjalën e tij në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme, gjatë diskutimit për projektligjin që lidhet me barnat narkotike dhe lëndët psikotrope, me fokus të veçantë luftën kundër opioideve sintetike, përfshirë fentanilin deklaroi se Shqipëria është përkrah Presidentit të SHBA, Donald Trump në luftën kundër drogave.

Ai theksoi se përveç fentanilit, në listën që po miratohet janë përfshirë edhe katër opioidë të tjerë sintetikë edhe më të fortë se fentanili, duke i cilësuar si jashtëzakonisht të rrezikshëm për jetën e njeriut.

Në fjalën e tij, Balla solli shifra tronditëse nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e quajtur fentanilin një kërcënim global.

“Nga 1 janari 2021 deri më 31 dhjetor 2024, në SHBA kanë humbur jetën 262 mijë persona për shkaqe të lidhura me përdorimin e fentanilit. Më shumë amerikanë kanë vdekur nga fentanili sesa nga Lufta e Dytë Botërore, në vetëm katër vite.”
Sipas tij, edhe për vitin 2025 priten shifra shumë të larta, rreth 76 mijë viktima, çka justifikon qëndrimin e fortë të Presidentit amerikan Donald Trump ndaj kësaj çështjeje.

Balla rikujtoi se më 14 mars 2024 Shqipëria u anëtarësua në Koalicionin Global kundër drogave sintetike, një iniciativë e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

“Drogat sintetike, dhe në mënyrë të veçantë fentanili, janë armë të shkatërrimit në masë që vrasin dhjetëra mijëra njerëz çdo vit”, theksoi ai, duke paralajmëruar se Europa ende nuk është plotësisht e vetëdijshme për rrezikun që ky fenomen përbën.

Sipas Ballës, një sasi më e vogël se një kokërr kripe e fentanilit mund të marrë jetën e një njeriu, duke nënvizuar se kjo është pasojë e rrjeteve kriminale të organizuara, kufijve të dobët dhe zbatimit të pamjaftueshëm të ligjit.
“Kufijtë e fortë shpëtojnë jetë”, deklaroi ai, duke shtuar se Shqipëria duhet të rrisë kontrollet kufitare dhe të forcojë politikat e sigurisë në shkolla për të parandaluar që fëmijët dhe të rinjtë të bien pre e shpërndarësve të drogës.

Në përmbyllje, Taulant Balla vlerësoi qasjen proaktive të qeverisë shqiptare për përditësimin e listës së lëndëve narkotike dhe kërkoi më shumë vëmendje për qendrat e rehabilitimit dhe trajtimit të personave me varësi.
“Detyra e shtetit është jo vetëm të parandalojë përdorimin e drogës, por edhe të kujdeset që viktimat e saj të shpëtojnë nga varësia”, tha Balla, duke bërë thirrje që edhe opozita të mbështesë projektligjin dhe ai të miratohet sa më shpejt në seancë plenare.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu