Një stuhi e fuqishme gjeomagnetike, e klasit G4 dhe më e forta e dekadave të fundit, ka sjellë një spektakël të rrallë natyror në Greqi, duke bërë të dukshme Dritat e Veriut (Aurora Borealis) në zona ku ky fenomen pothuajse nuk shfaqet kurrë.

Sipas mediave greke, aktiviteti i pazakontë diellor, i shkaktuar nga një flakërim masiv diellor, e shtyu aurorën shumë më në jug se zakonisht, duke u vërejtur në Thesaloniki, Maqedoninë greke dhe në një moment historik edhe mbi Detin Jon, në Korfuz, pak pas mesnate.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë qiellin e ngjyrosur në nuanca të kuqe dhe vjollcë, një efekt tipik për aurorën në gjerësitë më të ulëta gjeografike. Ekspertët shpjegojnë se në këto zona shihen vetëm shtresat e sipërme të aurorës, ku grimcat diellore përplasen me oksigjenin në lartësi shumë të mëdha, duke krijuar këtë shkëlqim të rrallë.

Sipas Qendrës për Parashikimin e Motit Hapësinor (SWPC), kjo stuhi gjeomagnetike ka qenë më intensive dhe më e qëndrueshme që nga stuhitë e famshme të vitit 2003, edhe pse në vitin 2024 u regjistrua për pak çaste një stuhi e nivelit maksimal G5.

Megjithëse pamja ishte mbresëlënëse, ekspertët paralajmërojnë se stuhitë e tilla diellore mund të shkaktojnë probleme në komunikimet satelitore, GPS dhe rrjetet elektrike, duke e bërë fenomenin jo vetëm spektakolar, por edhe potencialisht të rrezikshëm për infrastrukturën moderne.

Ky episod ka habitur dhe emocionuar mijëra qytetarë grekë, të cilët për herë të parë në jetë kanë parë Dritat e Veriut mbi Mesdhe.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu