
Gjykata Kushtetuese shqyrtoi këtë të martë kërkesën e Unionit dhe Shoqatës së Gjyqtarëve për rritjen e pagave me rreth 700 euro në muaj, ndërsa pritet që vendimi të merret në ditët në vijim.
Kjo është hera e dytë brenda tre viteve që gjyqtarët kërkojnë rritje page. Ata kërkojnë shfuqizimin e ndryshimeve ligjore të miratuara në vitin 2023, sipas të cilave paga e gjyqtarëve u përcaktua në nivelin 36% të pagës së Presidentit të Republikës.
Kërkesa ka hasur në kundërshtimin e fortë të kryeministrit Edi Rama. Në një reagim publik, në kohën kur zhvillohej seanca në Gjykatën Kushtetuese, Rama i bëri thirrje trupës gjykuese të mos e pranojë kërkesën, duke paralajmëruar se një vendim në favor të saj do të përbënte “një turp kombëtar”.
Sipas kryeministrit, gjyqtarët janë tashmë kategoria më e lartpaguar në Shqipëri, falë mbështetjes që qeveria i ka dhënë pushtetit gjyqësor në kuadër të Reformës në Drejtësi.
“Sot Gjykata Kushtetuese po zhvillon një farsë të imponuar nga dy shoqata gjyqtarësh, të cilët duan të rrisin rrogat e tyre me gjyq, duke thyer piramidën shtetërore të pagave. Ata kërkojnë të marrin kompetencat kushtetuese të qeverisë dhe Parlamentit për politikën e pagave, çka është një skandal logjik, moral, ligjor dhe kushtetues”, shkruan Rama.
Ai theksoi se Shqipëria nuk mund të bëhet i vetmi vend ku gjyqtarët paguhen më shumë se çdo kategori tjetër, duke pasur të drejtën të rrisin automatikisht pagat sa herë rriten pagat në sektorë të tjerë. Rama përgëzoi gjithashtu SPAK-un, i cili sipas tij nuk iu bashkua kësaj kërkese “në emër të pavarësisë së gjyqësorit”.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese pritet me interes të lartë, pasi mund të krijojë precedent për sistemin e pagave në administratën publike dhe raportin mes pushteteve.






