Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u ka dërguar këtë të martë deputetëve të mazhorancës një njoftim zyrtar lidhur me nevojën e shqyrtimit dhe miratimit me procedurë të përshpejtuar të aderimit të Shqipërisë në “Bordin e Paqes”.

Sipas mesazhit të Ballës, pas miratimit nga Këshilli i Ministrave, pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë strukturë do të kërkojë ratifikim në Kuvend, ndaj deputetët duhet të jenë në gatishmëri për zhvillimin e një seance të mundshme parlamentare përpara datës 27 janar, kur është planifikuar seanca e radhës.

“Përshëndetje kolege dhe kolegë. Aderimi i Shqipërisë në Bordin e Paqes, pas miratimit nga Qeveria, do të kërkojë edhe ratifikimin/votimin në Kuvend. Prandaj ky proces do të kryhet me procedurë të përshpejtuar në respekt të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit sapo të vijë nga Këshilli i Ministrave. Ndoshta do kemi nevojë për një seancë në ditët në vijim. Ju lutem merrni masa paraprakisht për prezencën”, thuhet në mesazhin e dërguar deputetëve të PS-së.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetin social “X” se ftesa e presidentit amerikan Donald Trump për pjesëmarrjen e Shqipërisë në “Bordin e Paqes” për Gazën do t’i përcillet Kuvendit për miratim.

Rama ka falënderuar presidentin Trump për ftesën, duke e cilësuar nismën si një model transformues për ndërtimin e paqes në nivel global, ndërsa theksoi se çdo hap do të ndjekë procedurat kushtetuese dhe parlamentare në Shqipëri.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu