Romë, 19 janar 2026 – Valentino Garavani, një nga figurat më të mëdha të modës botërore dhe themeluesi i shtëpisë së famshme Valentino, është ndarë nga jeta në moshën 93-vjeçare. Lajmi u bë i ditur nga Fondacioni Valentino Garavani dhe nga bashkëthemeluesi i markës, Giancarlo Giammetti.

Stilisti legjendar u shua në Romë, në banesën e tij, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme krijuese që ka shënjuar dekada të tëra në industrinë globale të modës. Valentino konsiderohet si një nga arkitektët e elegancës moderne, i njohur për stilin e tij të përjetshëm dhe për ngjyrën ikonike “rosso Valentino”.

Homazhet do të mbahen në ambientet PM23, Piazza Mignanelli 23, të mërkurën dhe të enjten, ndërsa ceremonia mortore do të zhvillohet të premten, më 23 janar, në Bazilikën Santa Maria degli Angeli e dei Martiri, në qendër të Romës.

I lindur në Voghera në vitin 1932, Valentino u formua profesionalisht në Paris, në atelierët e Jean Dèsses dhe Guy Laroche. Pas kthimit në Itali, në vitin 1958 hapi shtëpinë e tij të modës në Via Condotti në Romë. Moment kyç në karrierën e tij ishte prezantimi në Palazzo Pitti në vitin 1962, që e projektoi atë në skenën ndërkombëtare.

Së bashku me Giancarlo Giammettin, Valentino ndërtoi një markë luksi që veshi personalitete të shquara të Hollywood-it, familje mbretërore dhe figura publike nga e gjithë bota. Ai qëndroi drejtor artistik i markës deri në vitin 2007, duke ia lënë më pas drejtimin krijues pasardhësve të tij.

Ndarja nga jeta e Valentino Garavanit shënon fundin e një epoke për modën italiane dhe botërore, por emri dhe stili i tij do të mbeten përgjithmonë sinonim i elegancës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu