
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mbajti sot mesazhin e tij në çeljen e sesionit të ri parlamentar, duke u bërë thirrje deputetëve për përgjegjësi politike, bashkëpunim dhe fokus maksimal në reformat kyçe që lidhen drejtpërdrejt me integrimin evropian të vendit.
Në fjalën e tij para Kuvendit, Kreu i Shtetit theksoi se sesioni i dytë i legjislaturës XI nis me një agjendë të ngjeshur reformuese dhe me sfida të rëndësishme për Shqipërinë, duke nënvizuar se çdo nismë ligjore duhet t’i shërbejë forcimit të shtetit të së drejtës, mirëqenies së qytetarëve dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Begaj u shpreh se përmbushja e prioriteteve të BE-së nuk pranon konkurrencë politike dhe kërkon përkushtim të vërtetë, reforma të thella dhe punë intensive. Ai paralajmëroi se shpërqendrimi i debatit parlamentar, mungesa e bashkëpunimit dhe vonesat në rezultate rrezikojnë seriozisht procesin e integrimit.
Presidenti theksoi se qytetarët presin nga Kuvendi më pak konflikt dhe më shumë zgjidhje konkrete, ligje cilësore, kontroll efektiv parlamentar dhe një debat politik të ndershëm. Sipas tij, demokracia nuk mund të funksionojë pa ekuilibër dhe respekt reciprok mes mazhorancës dhe opozitës.
Duke u ndalur te reforma në drejtësi, Begaj deklaroi se politika duhet ta mbështesë pa asnjë ekuivok, duke u shprehur se drejtësia duhet të veprojë e pavarur kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në përputhje me standardet evropiane.
Një vëmendje të veçantë Presidenti i kushtoi reformës zgjedhore, për të cilën tha se duhet të arrijë pikën kulmore gjatë këtij sesioni parlamentar. Ai theksoi se rekomandimet e OSBE-ODIHR-it duhet të adresohen në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe se ndryshimet e vonuara të legjislacionit zgjedhor përbëjnë rrezik për standardin e zgjedhjeve.
Begaj u ndal gjithashtu te reforma administrative territoriale, duke e cilësuar si një gur kilometrik që kërkon dialog konstruktiv dhe kompromis politik, si dhe te rëndësia e forcimit të mekanizmave të kontrollit parlamentar.
Në përmbyllje, Presidenti kujtoi se mandati i deputetëve është një kontratë besimi me qytetarët dhe se ky besim matet me veprime konkrete, vendime të drejta dhe besnikëri ndaj Kushtetutës dhe objektivave madhore të Shqipërisë.
“Shqipëria nuk ka kohë për të humbur në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, theksoi Begaj, duke u uruar deputetëve punë të mbarë në shërbim të së ardhmes evropiane të vendit.






