Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, e ka cilësuar si një moment historik për Shqipërinë ftesën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për përfshirjen e vendit tonë si Anëtare Themeluese në “Bordin e Paqes”.

Në një konferencë për mediat, Spiropali theksoi se kjo ftesë përbën një vlerësim të lartë për rolin ndërkombëtar të Shqipërisë në çështjet e paqes, sigurisë dhe stabilitetit, si dhe një konfirmim të partneritetit strategjik mes Tiranës dhe Uashingtonit.

Ajo shtoi se Kryeministri Edi Rama është ftuar personalisht për të qenë pjesë e këtij organizmi të ri ndërkombëtar, i cili synon ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme dhe funksionale në nivel global.

Gjatë konferencës, ministrja u pyet edhe për projektin e investimit në ishullin e Sazanit, që lidhet me Jared Kushner, dhëndrin e Presidentit Trump, si dhe për mundësinë e një vizite në Shqipëri të Ivanka Trump.

Spiropali hodhi poshtë kategorikisht çdo pretendim për falje tokash apo dhënie territoresh shqiptare, duke theksuar se nuk ekziston asnjë plan i tillë dhe se këto janë spekulime të pabazuara.

“Jo vetëm familja e Presidentit Trump, por të gjithë zyrtarët amerikanë janë të mirëpritur në Shqipëri. Nuk kemi asnjë detyrim të japim informacion mbi vizitat e tyre private apo zyrtare. Nuk ka asnjë plan për falje tokash apo dhënie territoresh shqiptare. As SHBA-të, as Presidenti Trump dhe as familja e tij nuk kanë kërkuar ndonjëherë diçka të tillë,” deklaroi Spiropali.

Sipas saj, bëhet fjalë për projekte serioze zhvillimore, të cilat janë pjesë e strategjisë së qeverisë shqiptare për zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit.

Ministrja theksoi se Shqipëria është krenare për këto projekte, ashtu si edhe për iniciativa të tjera zhvillimore që, sipas saj, do të bëhen realitet në vitet në vijim.

Ndërkohë, Jared Kushner është shprehur më herët se ishulli i Sazanit e ka intriguar që gjatë një vizite në vitin 2021, duke e cilësuar atë si një zonë me potencial të veçantë.

Edhe Kryeministri Edi Rama ka sqaruar më herët se ishulli i Sazanit nuk do të shitet asnjëherë, por se shteti shqiptar do të jetë partner në çdo projekt investimi që do të realizohet aty, duke e cilësuar këtë iniciativë si një risi për gjithë zonën e Mesdheut.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu