Pasditen e sotme Kuvendi i Shqipërisë rinis punën pas pushimeve të fundvitit. Në orën 11:00 do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve, e cila do të diskutojë projektligjet që pritet të shqyrtohen dhe miratohen gjatë tre javëve të ardhshme.

Ndërkohë, në orën 17:00 do të zhvillohet seanca e parë plenare për këtë vit. Në rendin e ditës nuk janë parashikuar ligje për miratim, por hapja e sesionit parlamentar do të shoqërohet me fjalën e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, si dhe me diskutimet e kryetarëve të grupeve parlamentare.

Edhe pse seanca ka karakter kryesisht ceremonial, pritet që ajo të shoqërohet me tensione politike, të ngjashme me ato të shënuara në fund të vitit të kaluar. Partia Demokratike ka paralajmëruar se nuk do të ketë normalitet në Kuvend derisa të shqyrtohet kërkesa e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Opozita kërkon miratimin sa më të shpejtë të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për Ballukun, ndërsa Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka vendosur që mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve të zhvillohet më 28 janar.

Për pasojë, javët në vijim pritet të karakterizohen më shumë nga debate politike sesa nga miratimi i ligjeve, me fokus të veçantë rolin e SPAK-ut dhe kërkesën për arrestimin e numrit dy të qeverisë.

Më 16 dhjetor, Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit i kërkoi Kuvendit autorizim për arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila po hetohet për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera.

Ende mbetet e paqartë qëndrimi i mazhorancës socialiste ndaj kësaj kërkese. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se vendimi do të merret pasi Gjykata Kushtetuese të shprehet për masën e parë të sigurisë ndaj Ballukut, atë të pezullimit nga detyra.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu