Nga RUDOLF MARKU

Në psiken e popujve të lashtë, sidomos të popujve dhe qytetërimeve lindore, Lopa shihet me simpati dhe adhurim. Në Egjiptin e Vjetër, Lopa Ahet është nëna e Diellit. Tek asirianët, trupi i Zotit Misterioz është i fshehur brenda një koke lope të gdhendur me përkushtim në një trung druri. Qytetërime të tjera e pikturojnë kokën e Lopës së Shenjtë me një disk diellor brenda hapësirës së brirëve.

Mund të vazhdonin shumë gjatë me shembuj të pafundmë të shenjtërimit të Lopës te indianët (adhurim dhe shenjtërim që vazhdon dhe sot e kësaj dite), tek arabët, turqit e kështu me radhë… Çuditërisht ky përfytyrim simpatizues mungon te keltët dhe te shumë popuj dhe qytetërime të tjera, gjë që mund ta vëresh edhe në sistemin kuptimor të fjalëve. Në gjuhën angleze fjala Cow (Lopë) është e lidhur me paburrërinë, me frikën, me pabesinë, me squlljen e karakterit, me langarosjen. Edhe një nxënës i fillores e di se frikacakut në anglisht i thuhet –Coward (me rrënjën e falës-Cow) dhe paburrëria dhe mungesa e shtyllës kurrizore thërritet Cowardice. Cowardly është gjendja kur njeriu vepron në atë mënyrë kur të lënë gjunjët a kur zemra e njeriut zëvendësohet me një zemër lepuri. Këtë ka pasur parasysh Fan Noli ynë kur andej nga viti 1926 i shkruan një miku të vet se në Shqipëri “karakteret lopësohen” – me pak fjalë, na sqaron Noli, atë që dje e ke parë si trim të çartun, veç një ditë më vonë mund ta shohësh duke ia lëpirë duart armikut të vet, ndërsa atij që i çirrej zëri duke sharë dhe kërcënuar, sot ia sheh kallot në duar nga duartrokitjet për armikun që dje betohej se do ta vriste…

Në romanin “Vjeshta e një Patriarku”, Gabriel Garcia Marquez që në faqet e para na pikturon tmerrin e ferrit të një qeverie të korruptuar nën hijen e një skandali gazmor. Rrëfimtari anonim i romanit që këmbëngul gjatë gjithë kohës të tregojë në veten e parë të numrit shumës, na thotë se “… në një pasdreke janari ne pamë me sytë tanë një Lopë, e cila po kundronte perëndimin e diellit që nga Ballkoni Qeveritar i Kryeministrisë; ja, merreni me mend se çfarë tmerri është, një Lopë në ballkonin e kombit, merreni me mend se çfarë vend muti është ky vendi ynë…”.

Siç shihet dhe nga këto fare pak rreshta të cituar, edhe për Gabriel Garcia Marquez-in, ashtu si dhe për gjuhën angleze dhe ashtu si dhe për Fan Nolin tonë, për shkakun e një tradite të qytetërimit perëndimor, Lopa është personifikimi i dhjamosjes së shpirtit, i korrupsionit, i squllosjes, i langarosjes. Ndërsa rrëfimtari anonim i romanit është i obsesionuar nga çudia se si ka mundur një Lopë të ngjisë shkallët e Pallatit Qeveritar për të dalë në ballkon, për lexuesin shqiptar, falë një përvoje të gjatë në lëkurën e vet, kjo nuk përbën as dhe ndonjë enigmë a çudi a kureshtje të çfarëdollojshme. Lexuesi shqiptar po aq sa dhe Fan Noli i vitit 1926, e di se janë pikërisht Lopët, ato që ngjisin shkallët: shkallët e pushtetit, shkallët e politikës, shkallët e Parlamentit, shkallët e Qeverisë, shkallët e Akademisë, për të zënë vende nderi në Ballkonet Presidenciale, në lozha, në tribuna, në Parlament a në krye të qeverisjes. Fan Noli do ta quante pa asnjë mëdyshje – Lopësim i Kombit tonë!

Në të kundërt me përfytyrimin perëndimor të Lopës për të cilën folëm deri më tani, politikanët tanë kanë një përfytyrim tepër favorizues, lindor, për Lopën. E shohin me adhurim, me simpati, me shenjtërim: Lopa që zgjidhet udhëheqës, që adhurohet, që ruhet me pëkujdesje nga lopçarët e zellshëm, nga lopçarë akademikë, gazetarë, nga lopçarët himnizues të së keqes, nga profesorë dhe doktorë adhamudhër, nga analistë dhe psikanalistë të Universitetit të famshëm të Mamurrasit dhe nga shkencëtarë të dalë nga bankat e Akademisë së Domosdovës. Lopa në ballkonin e qeverisë adhurohet nga turmat pa tru (përsëri Noli) – dhe nga politikanët që ëndërrojnë metamorfizmin në një Lopë qeveritare (ah, qumështi i votave, i parave nën dorë, i ryshfeteve, i duartrokitjeve, i artikujve lavdërues, i udhëtimeve nëpër botë, i vilave dhe shtëpive luksoze, i milionave në llogari bankare, qumështi i shpërblimit të kokëtrashësisë dhe injorancës, i shpërblimit të besnikërisë në krim).

Dy konceptet, ai Lindori dhe ai Perëndimori, të unifikuar harmonikisht (njëlloj si unifikimi i gjuhës letrare)! Ec e thuaj pastaj se ne shqiptarët nuk jemi një mes i artë mes qytetërimit lindor dhe atij perëndimor! Ose as Lindje dhe as Perëndim! Ose asgjë, gjë prej gjëje! Thjesht një Lopë në ballkon që kundron perëndimin e diellit. Ose, po të parafrazojmë Gabriel Garcia Marquez “merreni me mend se çfarë vend muti është ky vendi ynë”! Me një Lopë dhe një lopçar të bashkuar në një, në udhëheqësit e këtij vendi tonë të mjeruar.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu