Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka hedhur poshtë spekulimet e opozitës lidhur me pretendimet për bllokimin e vizave amerikane për qytetarët shqiptarë, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndaluar lëvizjen dhe udhëtimin e shqiptarëve drejt SHBA-së.

Në një reagim publik gjatë udhëtimit me tren drejt Kievit, ku pritet të zhvillojë një vizitë zyrtare dhe të takohet me Presidentin Volodymyr Zelensky dhe Ministrin e Jashtëm Andrii Sybiha, Spiropali sqaroi se bëhet fjalë për trillime politike dhe keqinformim të qëllimshëm.

“Kam ndjekur me vëmendje gjatë gjithë mbrëmjes së djeshme rrebeshin e spekulimeve politike mbi çështjen e vizave drejt SHBA. Ndërkohë që Shqipëria sot respektohet e çmohet kudo dhe është më aktive se kurrë, disa të udhëhumbur në Tiranë kanë vënë kujën se SHBA-të kanë ngrirë dhe bllokuar vizat për shqiptarët”, deklaroi ministrja.

Spiropali theksoi se nuk është bllokuar asnjë kategori vizash, përfshirë ato turistike, studentore, për biznes, vizita familjare apo evente të lidhura me punën.

“E vërteta është se vendimi i fundit i SHBA-ve nuk ka bllokuar lëvizjen dhe udhëtimin e qytetarëve shqiptarë drejt SHBA-ve. Kurrsesi! Nuk janë bllokuar as vizat për qëllime turistike, studentët, biznesi, vizita te familjarët apo evente të lidhura me punën”, u shpreh ajo.

Sipas ministres, ajo që ka ndryshuar lidhet vetëm me politikën e imigracionit për lejet e qëndrimit, në kuadër të një rishikimi më të gjerë të procedurave nga ana e administratës amerikane.

“Rregullat e qëndrimit në SHBA do të ndryshojnë në linjë me politikën e tyre të imigracionit. Nuk bëhet fjalë për një vendim që targeton Shqipërinë, por për një rishqyrtim të procesimit të vizave për qëllime imigrimi për 75 vende, përfshirë edhe 5 vende të Ballkanit Perëndimor”, sqaroi Spiropali.

Ajo shtoi se Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar për një pezullim të përkohshëm të përpunimit të vizave të imigracionit, deri në një rishikim zyrtar, si pjesë e masave për të kufizuar abuzimet me sistemin amerikan të migracionit.

Në përfundim, Spiropali nënvizoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-së mbeten të forta dhe të pandryshuara.

“Shqipëria ka qenë dhe mbetet aleati dhe partneri strategjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vend mik me të cilin na bashkon një rrugë e gjatë dhe e pandashme vlerash dhe qëllimesh”, përfundoi ministrja.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu