Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla përkujton 34-vjetorin e krijimit të Forumit Rinor Eurosocialist të Shqipërisë (FRESSH), duke e cilësuar atë si organizatën më të madhe politike rinore në vend dhe një shkollë të vërtetë politike për breza të rinjsh.

“Si sot 34 vite më parë, me nismën e disa vajzave dhe djemve, studentë pjesëmarrës në lëvizjen studentore të dhjetorit 90, të cilët me vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri përqafuan vlerat e socialdemokracisë europiane, mori rrugë krijimi i organizatës më madhe politike rinore në Shqipëri: Forumi i Rinor Eurosocialist i Shqipërisë”, shkruan Balla.

Balla rikujton misionin e FRESSH me ndihmën e partive simotra europiane.

“Misioni i FRESSH ishte aktivizmi politik i të rinjve duke u kthyer shumë shpejt në një shkollë të mirëfilltë politike, edhe për shkak të mbështetjes që FRESSH mori nga organizatat partnere të partive socialiste dhe socialdemokrate europiane. Në një kohë të shkurtër FRESSH u anëtarësua në IUSY dhe ECOSY duke i paraprirë anëtarësimit të Partisë Socialiste në IS dhe PES”, thekson Balla.

Balla thotë se orientimi europian i FRESSH mbeti i pandryshueshëm që nga dita e parë.

“Si një organizatë rinore përkrah Partisë Socialiste të Shqipërisë, orientimi i pandryshueshëm, prej ditës së parë, ishte misioni i nisur nga studentët e dhjetorit: ‘e duam Shqipërinë si gjithë Europa’, pra integrimi europian i Shqipërisë”, shkruan ai.

Në postimin e tij, Balla shpjegon edhe simbolikën dhe pse fryma e FRESSH përbën sot “ADN-në” politike të PS që po çon vendin drejt BE duke bërë realitet ëndrrën e parë të Shqipërisë pluraliste:

“Nuk është aspak e rastësishme që ky orientim i spikatur i të rinjve eurosocialistë shqiptarë, u gdhend edhe në simbolin e parë të FRESSH: një lulëkuqe kuq e zi mes 12 yjeve të Bashkimit Europian”, ndërsa shton se në çdo aktivitet të FRESSH pas himnit kombëtar dëgjohej edhe kënga Go West e Pet Shop Boys: “Shko në Perëndim, ka Diell në Kohë Dimri. Kjo i shkonte fiks viteve 92–97 për Partinë Socialiste. FRESSH ishte një rreze dielli në ato kohë dimri, ndërsa Partia Socialiste po forcohej, për t’u bërë sot partia më e madhe e shqiptarëve”, përfundon ai.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu