
Kryeministri Edi Rama është nderuar me medaljen më të lartë të Emirateve të Bashkuara Arabe, e cila mban emrin e themeluesit të këtij shteti, Sheikh Zayed bin Sultan Al Nahyan.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Rama përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shprehet thellësisht i prekur nga surpriza dhe nderimi i jashtëzakonshëm nga Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan.
Sipas Kryeministrit, akordimi i kësaj medaljeje përbën respektin dhe vlerësimin më të madh që i është bërë ndonjëherë një Kryeministri shqiptar. Rama thekson se e ka pranuar këtë nderim me përulësi dhe krenari për Shqipërinë, si edhe me mirënjohje të thellë për mikun e madh të shqiptarëve, Sheikh Mohammed bin Zayed.
Në reagimin e tij, Rama falënderon gjithashtu çdo shqiptar që i ka besuar udhëheqjen dhe përfaqësimin e vendit, duke e konsideruar këtë vlerësim si një nder jo vetëm personal, por edhe për Shqipërinë dhe marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve.






