Kreu i opozitës, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e krahasuar atë me presidentin e rrëzuar të Venezuelës, Nicolás Maduro, dhe duke bërë thirrje për protesta masive paqësore si e vetmja rrugë drejt ndryshimit.

Berisha deklaroi se Rama “e ndien vetë fundin”, duke shtuar se kryeministri ka përdorur prej kohësh të njëjtën gjuhë justifikuese si Maduro. Sipas tij, Rama ka pranuar në mënyrë të tërthortë fajësinë, por përpiqet ta relativizojë situatën duke bërë krahasime.

“Ai e ndiente vetë. Thoshte se unë jam fajtor, por ne nuk kemi naftë sa Venezuela dhe nuk kemi kartele aq të mëdha. I kemi, por jo sa Venezuela”, u shpreh Berisha.

Sipas liderit demokrat, largimi i asaj që ai e quan “Ramaduro” dhe garantimi i votës së lirë për shqiptarët mund të arrihen vetëm përmes protestave më të fuqishme që ka njohur vendi. Berisha theksoi se nuk ka rrugë tjetër përballë asaj që e cilësoi si një regjim të lidhur me kartelet dhe abuzimin me pushtetin.

“Kjo është një betejë vendimtare. Të gjitha format e protestave janë të mundshme”, deklaroi ai, duke sqaruar se bëhet fjalë për protesta, revolta dhe kryengritje qytetare, por paqësore, pa devijuar nga ky pozicion.

Berisha nënvizoi se presioni qytetar do të vijojë dhe se opozita synon të ndërtojë një lëvizje të gjerë për rrëzimin e qeverisë dhe rikthimin e demokracisë funksionale në vend, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu