
Kryetari i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka nisur mbrëmjen e së hënës një protestë simbolike përballë Kryeministrisë, duke qëndruar i vetëm, i ulur në një karrige, si shenjë kundërshtimi ndaj kryeministrit Edi Rama dhe, sipas tij, sulmeve ndaj drejtësisë dhe Gjykatës Kushtetuese.
Lapaj deklaroi se kjo protestë shënon rikthimin e tij në shesh pas tre vitesh, që prej protestave kundër rritjes së çmimeve. Ai u shpreh i vendosur që të qëndrojë përpara Kryeministrisë pa ndërprerje, ditë e natë, duke e quajtur këtë nisje një akt simbolik qytetar.
“Sot kam ardhur këtu pas tre vitesh. Sonte nis një protestë tjetër, përballë Edi Ramës, i cili duhet të dorëhiqet pasi ka nisur një sulm ndaj drejtësisë. Në datën 12 Dhjetor, Gjykata Kushtetuese duhet të shprehet”, tha Lapaj.
Ai theksoi se nuk ka ndërmend të largohet nga vendi i protestës dhe se do ta vijojë qëndrimin e tij pa u kthyer në shtëpi. Sipas tij, kjo është një formë proteste e vazhdueshme që synon të zgjojë reagimin qytetar.
“Unë sot jam këtu si qytetar. Kjo nisje i vetëm është simbolike. Do të jem këtu ditë e natë, pa ndalim, jo duke ikur në shtëpi për të ngrënë dreka e darka. Shpresoj që në ditët në vazhdim këtu të ketë qindra e mijëra qytetarë. Fundja, ky është fati im, të jem një protestues i përjetshëm”, u shpreh ai.
Lapaj theksoi gjithashtu simbolikën e datës 8 Dhjetor, Ditës së Rinisë, duke kujtuar nisjen e lëvizjes studentore të vitit 1990 që çoi në rrëzimin e komunizmit. Ai u shpreh i zhgënjyer nga mungesa e reagimit publik në një ditë që, sipas tij, duhet të shoqërohej me protesta dhe revoltë qytetare.
“Kisha gjithë ditën që prisja reagime, protestë, inat për gjithçka po ndodh. Por nuk ndodhi asgjë. Prandaj erdha këtu, tre vite pasi protestoja për çmimet, për të nisur një protestë tjetër kundër Edi Ramës”, tha Lapaj.
Ai shtoi se ditën e martë do të dorëzojë zyrtarisht në polici kërkesën për lejimin e protestës së vazhdueshme.






