
Avokatet e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj kanë reaguar ndaj deklaratës së lëshuar të premten nga ana e Prokurorisë së Posaçme, se klienti i tyre e ka marrë dosjen me anë të USB-së.
“Mbrojtja e z. Veliaj ka theksuar në mënyrë të vazhdueshme se e drejta për t’u njohur plotësisht me aktet është kusht themelor për ushtrimin e një mbrojtjeje efektive. Procesi nuk mund të vijojë pa u garantuar më parë që i pandehuri dhe mbrojtja janë njohur në mënyrë reale dhe jo formale, me materialet mbi të cilat do të zhvillohet gjykimi, një standard i pandryshueshëm në çdo sistem të së drejtës dhe pjesë përbërëse e parimit të “due process”, neni 42 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”, thonë avokatët.
Në reagimin e tyre mbrojtësit ligjorë theksojnë se nuk kanë zvarritur procesin siç pretendon SPAK, pasi dosja kërkon kohë, sepse ende nuk janë njohur me asnjë provë nga SPAK dhe se ky proces nuk mund të vijojë, pa u njohur me to.
“Çdo shtyrje është vendosur nga gjykata pas vlerësimit se kërkesat ishin të arsyetuara dhe të domosdoshme për ushtrimin e mbrojtjes. Dosja përmban rreth 60.000 faqe, të cilat përfshijnë dokumente teknike, analiza financiare, transkriptime audio dhe materiale të tjera të dendura, duke punuar 8 orë në ditë, do të duheshin 20–40 avokatë me kohë të plotë, pa kryer asnjë detyrë tjetër. Pavarësisht mungesës së kohës së mjaftueshme dhe mungesës së aksesit të plotë në materiale, përfshirë faktin që Veliaj nuk ka ende në dispozicion asnjë provë të dosjes, mbrojtja ka punuar intensivisht për të qenë plotësisht bashkëpunuese me gjykatën dhe për të mos u bërë shkak vonesash”, shprehen më tej avokatët.
Sipas avokatëve të Erion Veliajt, prokuroria ka pranuar në deklaratën për shtyp, kryerjen e veprimeve hetimore jashtë afatit formal të hetimit, rrethanë që ngre dyshime legjitime mbi përputhshmërinë e materialeve të prokurorisë me dosjen e depozituar në gjykatë.
“Për sigurimin e korrektësisë së procesit, është thelbësore që mbrojtja dhe z. Veliaj të kenë akses të plotë në dosjen gjyqësore, pasi mbi atë dosje do të zhvillohet shqyrtimi gjyqësor. Në këtë fazë gjyqësore fokusi mbetet i vetëm: krijimi i kushteve që mundësojnë përgatitjen reale dhe efektive të mbrojtjes”, deklarojnë avokatët.
SPAK me anë të një njoftimi për shtyp theksonte se janë 8 seanca të dështuara, për shkak se avokatët e të pandehurve nuk ishin gati për mbrojtjen. Seanca e radhës është parashikuar të mbahet me 8 dhjetor./Tv Klan







