
Një gropë e re karstike është hapur këto ditë në periferi të Belshit, duke rikthyer frikën e vjetër të banorëve të Dumresë, zonë e njohur për formacionet karstike që ndër vite kanë krijuar plot 84 liqene natyrore.
Fenomeni i fundit është regjistruar në lagjen “Hysa”, vetëm 1 kilometër nga qendra e qytetit, në një territor të banuar me dhjetëra familje. Sipas banorëve, gropa është shfaqur papritur dhe po thellohet e zgjerohet çdo ditë, duke rrezikuar themelet e shtëpive dhe sigurinë e fëmijëve.
Banorët flasin për një situatë të pasigurt: toka ka pësuar çarje dhe lëvizje të dukshme, ndërsa frika për shembje të mëtejshme është rritur ndjeshëm.
Autoritetet vendore, pasi kanë inspektuar terrenin, u kanë bërë thirrje qytetarëve të mos i afrohen zonës, veçanërisht fëmijëve. Në orët në vijim pritet që zona të rrethohet, ndërsa faza e dytë e ndërhyrjes do të përfshijë mbushjen e gropës me inerte për të shmangur ndonjë incident të mundshëm.
Fenomenet karstike në Dumre mbeten një sfidë e vazhdueshme, por shfaqja e tyre pranë zonave të banuara i jep urgjencë domosdoshmërisë për studime të thelluara gjeologjike dhe masa parandaluese më të forta.




