
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një takim me aleatët e Federatës së Opozitës së Bashkuar, ku në qendër të diskutimeve ishin reforma zgjedhore dhe ajo territoriale.
Gjatë fjalës së tij, Berisha theksoi se opozita do të përcaktojë së bashku sistemin zgjedhor që konsideron më të dobishëm, duke u mbështetur mbi rekomandimet e OSBE/ODIHR.
Ai nënvizoi se rezultatin e zgjedhjeve e ka diktuar kodi elektoral, ndërsa institucionet ndërkombëtare të vëzhgimit kanë dhënë një seri rekomandimesh për përmirësimin e kuadrit ligjor.
“Ne i konsiderojmë rekomandimet e tyre të dobishme për procesin zgjedhor dhe do të punojmë mbi to”, u shpreh Berisha.
Kreu i PD-së kujtoi se Shqipëria ka kaluar në sisteme të ndryshme zgjedhore që nga viti 1991, nga mazhoritar tek proporcional e rajonal, duke theksuar se PD ka pasur rol kryesor në përcaktimet së bashku me PS.
“Në këtë situatë, dua t’ju garantoj për vullnetin e plotë të PD, të përcaktojmë së bashku atë sistem që ne si forca politike opozitare e konsiderojmë më të dobishmin”, tha ai, duke shtuar se përfaqësuesit e PD-së në komisionin e reformës elektorale do të jenë avokatët e propozimeve të opozitës.
Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka shndërruar Shqipërinë në një “autokraci elektorale”, të ngjashme me regjimin e Maduros në Venezuelë, duke e lidhur me kartelet e drogës dhe përdorimin e tyre për të diktuar proceset zgjedhore.
Ai u ndal gjerësisht te raporti i OSBE/ODIHR, ku sipas tij Shqipëria cilësohet si vend me zgjedhje të kontrolluara nga “partia-shtet”. Berisha solli shembuj të presioneve ndaj votuesve, blerjes së votës dhe përdorimit të burimeve publike gjatë fushatës, duke theksuar se rezultati i zgjedhjeve nuk u ndikua nga ligji, por nga droga, krimi dhe frikësimi i qytetarëve.
Në lidhje me reformën territoriale, Berisha e quajti atë të vitit 2015 një “antireformë”, duke kritikuar shpërndarjen disproporcionale të bashkive dhe mungesën e shërbimeve në zonat rurale.
Ai deklaroi se opozita do të propozojë një rikonceptim të hartës territoriale, që synon rritjen e shërbimeve, përfaqësimit vendor dhe ripopullimin e zonave të braktisura.
Kryetari i PD e mbylli fjalën duke theksuar se opozita do të veprojë me seriozitet për të hartuar propozimet e saj për të dy reformat, ndërsa falënderoi institucionet ndërkombëtare për qëndrimet e tyre ndaj procesit zgjedhor në Shqipëri.
/rtsh.al/







