
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, doli sot në një konferencë për shtyp, ku akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama dhe ish-përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini, për një skandal financiar që, sipas tij, kap vlerën e 17 milionë eurove, i lidhur me ndërtimin e kampusit të Kolegjit Europian në Tiranë.
Berisha e cilësoi këtë çështje si “skandal me përmasa ndërkombëtare” dhe paralajmëroi se dosja Rama–Mogherini “është shumë më e rëndë se ajo e Bryzhit”.
Akuzat për marrëveshjen e fshehtë dhe truallin e Universitetit të Tiranës
Sipas Berishës, kampusi i Kolegjit Europian po ndërtohet në truallin e parashikuar më herët për kampusin e Universitetit të Tiranës, me një marrëveshje që ai e quan “të fshehtë dhe korruptive”, e cila nuk është publikuar asnjëherë.
“Po ndërtohet me 17 milionë euro të taksapaguesve shqiptarë dhe europianë, ndërsa projekti i kampusit të UT u shkatërrua për interesa korruptive”, tha ai.
Akuzat për bursat: “Kosto të fryra me qëllime korruptive”
Berisha deklaroi se Mogherini dhe Rama kanë përcaktuar bursa prej 27 mijë eurosh për studentët në Tiranë – pothuajse sa kostoja në Belgjikë, ndonëse jetesa në Shqipëri është disa herë më e lirë.
“Kjo është fryrje korruptive, në dëm të taksapaguesve dhe studentëve”, u shpreh ish-kryeministri.
Piramida – nga qendër teknologjike, në shërbim të Kolegjit Europian
Sipas Berishës, me një tjetër marrëveshje të papublikuar, është ndryshuar edhe destinacioni i Piramidës së Tiranës, e cila u rikonstruktua me 16 milionë euro për t’u shndërruar në qendër teknologjie për të rinjtë shqiptarë.
“Tani del se Piramida i është dhënë Kolegjit Europian, në përdorim apo pronësi. Asnjë transparencë, asnjë ligjshmëri”, tha ai.
Berisha: Qëndrimi ligjor ndaj Ballukut dhe Mogherinit është i kundërt
Në vijim, Berisha krahasoi dy çështjet e fundit të bujshme – atë të Belgjikës, ku Mogherini u arrestua nga EPPO dhe OLAF, dhe atë të Tiranës, ku, sipas tij, drejtësia u pengua të veprojë kundër zv.kryeministres Belinda Balluku.
“Në Bruksel drejtësia nuk u pengua. Në Shqipëri, pas kërcënimit të Ramës ndaj prokurorit të çështjes Balluku, në vend të arrestimit kërkohet pezullimi”, tha ai.
Ai akuzoi Ramën se “e shndërroi Kryeministrinë në zyrë avokatie për Ballukun”, ndërsa përmendi “dhjetëra mesazhe komprometuese” që sipas tij ndodhen në dosjen e SPAK.
Thirrja për hetim ndërkombëtar
Berisha kërkoi zyrtarisht që EPPO, OLAF dhe prokuroria belge të hetojnë:
- marrëveshjen e fshehtë Rama–Mogherini
- të gjitha email-et dhe SMS-të e tyre
- përdorimin e telefonave të koduar Sky ECC dhe Matrix
- abuzimet me fondet e BE-së për bujqësinë, energjinë dhe mjedisin
“Opozita shqiptare është e gatshme të kontribuojë në zbardhjen e abuzimeve kolosale të qeverisë. Shqiptarët meritojnë të vërtetën”, përfundoi Berisha.




