
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka reaguar ashpër pas vendimit që Lista Serbe të mos certifikohet për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025. Sipas SHBA-së, përpjekjet e Vetëvendosjes për të bllokuar këtë proces janë “shkurtpamëse dhe përçarëse”, duke cenuar të drejtat demokratike të qytetarëve të Kosovës.
“Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike. Veprime të tilla minojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së, përfshirë rinisjen e dialogut tonë strategjik për avancimin e mundësive për bizneset amerikane dhe kosovare”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane në Facebook.
Vendimi i KQZ-së la jashtë garës dy subjekte politike nga 24 që aplikuan:
- NISMA, e cila nuk përmbushi kriterin e nënshkrimeve,
- Lista Serbe, e cila nuk mori votat e nevojshme për certifikim.
Përjashtimi i Listës Serbe ka shkaktuar një valë kritikash nga faktori ndërkombëtar. Misioni i OSBE-së në Kosovë e cilësoi këtë një “devijim të qartë nga standardet zgjedhore ndërkombëtare”, ndërsa edhe BE-ja në Kosovë dhe ambasadori britanik Jonathan Hargreaves shprehën shqetësim për ndikimin që ky vendim mund të ketë mbi integritetin e procesit zgjedhor dhe stabilitetin politik.
Çështja pritet të mbetet në qëndër të vëmendjes në ditët në vijim, teksa presioni ndërkombëtar ndaj institucioneve të Kosovës po rritet ndjeshëm.







