
Gjykata Kushtetuese ka reaguar sot pas kërkesës së paraqitur nga Kryeministri Edi Rama, i cili kërkon rrëzimin e vendimit të GJKKO-së për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, të pandehur për çështje të skandaleve korruptive.
Në njoftimin zyrtar, Gjykata bën të ditur se Kolegji i saj është mbledhur sot, më 2 dhjetor 2025, për shqyrtimin paraprak të kërkesës së qeverisë. Pas analizimit fillestar, Kolegji ka vendosur që çështja t’i kalojë Mbledhjes së Gjyqtarëve, organi që do të vlerësojë nëse janë plotësuar të gjitha kriteret ligjore të pranueshmërisë për ta çuar ose jo në seancë plenare.
NJOFTIMI I GJYKATËS KUSHTETUESE
Në deklaratën zyrtare thuhet:
> “Kolegji i Gjykatës u mblodh sot në datën 02.12.2025, sipas planifikimit, për shqyrtimin paraprak të kërkesës. Kolegji vendosi kalimin e çështjes në Mbledhjen e Gjyqtarëve për të vlerësuar nëse plotësohen bashkërisht të gjitha kriteret e pranueshmërisë së saj për shqyrtim në seancë plenare, në përputhje me nenin 31 të ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese dhe nenin 24 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore.”
Gjykata njofton se vendimmarrja e Mbledhjes së Gjyqtarëve do të publikohet në faqen zyrtare të institucionit, sapo të merret vendimi.
—




