
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, doli sot në një deklaratë pas mbledhjes së grupit duke sqaruar pozicionin e PS lidhur me zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit. Balla konfirmoi se mazhoranca nuk do të propozojë një emër të saj dhe se vendimi do të merret vetëm mbi kandidaturat e depozituara nga opozita.
“PS nuk propozon kandidat”
“Partia Socialiste, në respekt të traditës shumëvjeçare, nuk do të propozojë një kandidat dhe nuk do të mbështesë asnjë emër me firmat tona deri në përfundimin e afatit,” tha Balla.
Sipas tij, deputetët e opozitës kanë dorëzuar disa kandidatura dhe vetëm pasi Komisioni i Ligjeve të verifikojë plotësimin e kritereve, PS do të shqyrtojë se cilin prej tyre mund të mbështesë.
View this post on Instagram
Kushti i vetëm: 84 vota në Kuvend
Balla kujtoi se kandidati për Avokatin e Popullit zgjidhet vetëm me 84 vota, duke nënkuptuar nevojën për dakordësi të gjerë politike. Ai u shpreh se mazhoranca synon që këtë herë institucioni të mos mbetet bosh:
“Dua që Kuvendi të zgjedhë një Avokat Populli të propozuar nga opozita dhe të mbështetur nga shumica. E kemi bërë këtë hap pikërisht për të shmangur bllokimet.”
Megjithatë, ai theksoi se PS nuk ka ende një komunikim me grupin parlamentar të PD-së dhe se pret që opozita t’i qëndrojë firmave të vendosura.
“Asnjë marrëveshje nën dorë”
I pyetur nëse ekziston një marrëveshje mes palëve për një emër të caktuar, Balla e mohoi prerë:
“Nuk ka asnjë supozim të tillë. Ne po respektojmë traditën parlamentare. Fakti që nuk propozojmë kandidat tregon se nuk duam të imponojmë shumicën.”
Ai kujtoi rastet e mëparshme, përfshirë vitin 2012, kur kandidati i propozuar nga opozita u votua nga shumica.
Pse PS propozon ndryshime në ligjet e Reformës në Drejtësi?
Balla iu përgjigj edhe kritikave për paketën e amendimeve të paraqitura nga deputeti socialist Olsi Komici. Sipas tij, propozimet janë të lidhura drejtpërdrejt me procesin e integrimit europian.
“Këto ndryshime janë pjesë e detyrave të Shqipërisë për afrimin me acquis të BE-së. Janë rekomandime të Komisionit Europian dhe jo ndërhyrje të njëanshme,” tha ai, duke shtuar se disa prej tyre synojnë të zgjidhin ngërçe funksionale në gjykata e prokurori.
Mesazhi për opozitën
Balla bëri apel që opozita të tregojë përgjegjësi institucionale:
“Shpresoj që deputetët që kanë firmosur për kandidaturat, të mbajnë të njëjtën qëndrim edhe në seancë. Qëllimi ynë është të kemi një Avokat Populli brenda këtij sesioni parlamentar.”
Vendimi i Kushtetueses për Ballukun
I pyetur për çështjen e pezullimit të zv.kryeministres Belinda Balluku, Balla u shpreh se kompetencat e gjykatave duhet t’i interpretojë Gjykata Kushtetuese.
“Presim vendimin e Kushtetueses. Ne jemi të qartë se Kushtetuta e barazon ministrin me deputetin përsa i përket imunitetit.”







