Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti një fjalim të ashpër para protestuesve të mbledhur sot përpara Kryeministrisë, ku akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku për korrupsion dhe kapje të shtetit. Ai e cilësoi sheshin e protestës si “sheshi i lirisë”, vendin ku sipas tij shqiptarët po ngrihen kundër një “bande të zhytur në krim”.

“Ky është sheshi i guximtarëve që po përzënë nga pallatet e pushtetit një bandë të zhytur në krim dhe vjedhje, ndër më të rëndat në historinë e këtij kombi,” deklaroi Berisha.

Berisha foli për një krizë të thellë politike dhe institucionale, të cilën e përshkroi si “një ndër më të paimagjinueshmet”, duke akuzuar Ramën se është “hajduti më i madh në historinë e shqiptarëve”.

Sipas tij, hetimet ndaj Belinda Ballukut dhe akuzat për një dëm ekonomik prej 50 milionë eurosh kanë ekspozuar drejtpërdrejt kryeministrin.

“U desh akuza e bazuar në dokumente zyrtare për vjedhjen e 50 milionë eurove nga Balluku, që Edi Rama të thoshte para shqiptarëve ‘hajduti jam unë’ dhe se drejtësisë i tregon brrylin. Nuk ka ndodhur kurrë kjo,” u shpreh Berisha, duke shtuar se në çdo vend demokratik një kryeministër do të jepte dorëheqjen menjëherë.

Berisha tha se Rama “nuk e largon dot Ballukun” sepse, sipas tij, “vjedhja është bërë me urdhër të tij dhe paratë janë ndarë bashkë”. Ai shtoi se kjo është “vetëm një pjesë e vogël” e aferave të përbashkëta mes tyre.

Në vijim të fjalimit, ai akuzoi Ramën se prej dy ditësh ndodhet në “përcartje të neveritshme” duke u hedhur hapur në mbrojtje të Ballukut.
“Thotë: po mbroj ministren, jo Lubi Ballukun, po mbroj kryeministrin, jo Edvinin. Por jeni të dy hajdutë,” deklaroi Berisha para turmës.

Ai shtoi se sjellja e Ramës ndaj Gjykatës Kushtetuese është, sipas tij, “prova që është hajduti kryesor i kësaj afere”.

“Në shesh deri në largimin e Edi Ramës. Kjo është beteja jonë vendimtare”, deklaroi kreu i PD Sali Berisha gjatë foltores në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Berisha më tej, shprehu bindjen se nuk do të hyjë më në asnjë proces zgjedhor me Ramën.

“Ky është sheshi ynë dhe dalim nga këtu, vetëm kur të shpëtojmë shqiptarët nga kjo bandë.

Arma e dytë e kësaj bande është droga. Euro përtokë, se vijnë ato të drogës. Me mijëra punëtorë dalin pa punë dhe marrin rrugët. Ikin se po shkatërrohen vendet e punës.

Ata pensionistë që jetojmë me të ardhurat e fëmijëve, 35% më pak të ardhura marrin. Ligjin e bën droga, Droga vret kudo e cilindo. Edi Rama qeveris bashkë me ta. Ne nuk do e pranojmë kurrë këtë. Parlamenti është shndërruar në vendin më të turpshme.

Edi Rama do të diktojë Kushtetuesen, por do i paguaj shumë shtrenjtë. Nuk jemi ne ata që presim shpëtimin nga gjytarë e prokurorë. Ne jemi shumë e nuk heqim dorë deri në largimin e Edi Ramës nga qeveria. Sheshin nuk e lëshojmë. Kemi hyrë në betejën vendimtare. Me Ramën nuk shkoj kurrë në zgjedhje”, tha Berisha.

Ky është tubimi i tretë që organizohet nga opozita para godinës së Kryeministrisë, dhe lideri i opozitës Sali Berisha ka paralajmëruar se do të vazhdojë deri në dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Para godinës së qeverisë u vendosën figura të improvizuara të ish-deputetëve dhe ish-kryebashkiakëve të dënuar me burg, siç janë Erion Veliaj, Vangjush Dakon, apo ish-deputetët Alqi Bllako, Ilir Beqaj.

Ajo çka bie në sy, funksionarët e lartë të PS ishin të veshur me uniformat e burgut./balkanweb

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu