Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një komunikimi të gjatë në Facebook, duke sqaruar se ankimimin në Gjykatën Kushtetuese për pezullimin e zëvendëskryeministres dhe ministres Belinda Balluku e ka bërë vetë ai, në cilësinë e Kryeministrit, dhe jo si individ. Sipas tij, kjo është një “betejë institucionale” që ka të bëjë me parimet themelore të ndarjes së pushteteve.

“Jam palë në proces, nuk i bëj presion askujt”

Rama theksoi se nuk po komenton një proces gjyqësor të zhvilluar në shkallë tjetër, por po shpjegon publikisht qëndrimin e ekzekutivit ndaj një çështjeje që, sipas tij, prek balancat kushtetuese në vend.

> “E kam ankimuar unë, si kryeministër, për parimin e moscenimit të balancës mes pushteteve. Kjo është një betejë institucionale për të mos lejuar atë që Komisioni i Venecias e konsideron shkelje të kufirit ndarës mes pushteteve,” u shpreh ai.

 

Rama: Pezullimi i një ministri nga prokurori dhe gjykatësi është “rrëmbim kompetencash”

Kryeministri argumentoi se masa e pezullimit të një ministri nuk ka precedent në Europë apo gjetkë, duke e quajtur një “absurd juridik” që në fakt përkthehet në shkarkim të detyruar.

> “De jure quhet pezullim, por de facto është shkarkim. Nuk ka asnjë rast në Europë ku një prokuror dhe një gjykatës pezullon anëtar qeverie. Është rrëmbim i kompetencës së kryeministrit,” deklaroi ai.

 

Rreziku i precedentit: “Do krijonte destabilizim institucional”

Rama paralajmëroi se një vendim që legjitimon këtë praktikë do të hapte rrugë ndërhyrjeve të gjyqësorit në ekzekutiv dhe në vetë jetën politike të vendit, duke krijuar një precedent “të rrezikshëm dhe kërcënues”.

> “Hapja e kësaj ‘vrime’ në murin ndarës mes pushteteve do të sillte lojëra politike në dëm të shtetit dhe destabilizim institucional. Kjo është tentativë antidemokratike.”

 

“Detyrimi për t’u shpjeguar qytetarëve është i panegociueshëm”

Në përmbyllje, Rama u shpreh se shpjegimi i qëndrimeve institucionale para publikut është detyrim dhe nuk mund t’i ndalohet nga askush.

> “Unë përfaqësoj interesin shtetëror, jo interesin personal të një ministreje të pezulluar. Është detyrim të sqaroj opinionin publik, edhe nëse ka proces gjyqësor në zhvillim.”

 

Kryeministri shprehu bindjen se Gjykata Kushtetuese duhet t’i qëndrojë praktikës europiane dhe të mos njohë një precedent që, sipas tij, “është i pa mirëseardhur në historinë e drejtësisë demokratike”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu