Baleti Kombëtar i Kosovës ka regjistruar një nga paraqitjet më të rëndësishme në historinë e tij, me debutimin e jashtëzakonshëm në teatrin e famshëm “Malibran” në Venecie, ku shfaqi veprën skenike “Carmina Burana” të Carl Orff. Salla me rreth 900 ulëse u mbush pothuajse plot, ndërsa publiku italian u ngrit disa herë në ovacione, duke e duartrokitur trupën për më shumë se katër minuta rresht.

Performanca kulmoi në skenën e fundit, në ritmet e “O Fortuna”, ku lëvizjet e sinkronizuara të balerinëve dhe momenti kur njëra balerinë ec mbi supet e trupës, krijuan një atmosferë elektrizuese. Video të publikuara online tregojnë shpërthimin e duartrokitjeve të publikut pak para se të mbyllej shfaqja.

Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, e cilësoi përvojën si unike dhe ndër prezantimet më të rëndësishme të institucionit që nga themelimi. Ai tha se komentet e kritikëve dhe publikut italian kanë qenë jashtëzakonisht pozitive dhe inkurajuese.

Në sallë ishin të pranishëm edhe kritikë arti të njohur, të cilët pritet të shkruajnë për paraqitjen e trupës kosovare. Sipas pamjeve nga vendi i ngjarjes, teatro “Malibran” ishte i mbushur thuajse në kapacitet të plotë.

Përvoja e trupës ishte edhe më domethënëse për faktin se gjatë viteve të fundit, për shkak të mbylljes së Teatrit Kombëtar të Kosovës për renovim, Baleti është detyruar të improvizojë në hapësira të ndryshme dhe jo gjithmonë të përshtatshme për shfaqje. Në Venecie, për herë të rrallë, balerinët patën gjithë kushtet ideale të një skene prestigjioze evropiane.

Pas suksesit në Venecie, trupa ka udhëtuar drejt qytetit Potenza, ku sot në mbrëmje do të shfaqë sërish “Carmina Burana”, të njëjtën vepër që u soll në Prishtinë gjatë verës nën dirigjimin e maestro Toshio Yanagisawa dhe me koreografi të Toni Candeloro.

Teatro “Malibran” është një prej skenave më të vjetra dhe më të çmuara italiane, i hapur fillimisht në vitin 1678 dhe i rilançuar në vitin 2001 pas një restaurimi të madh. Festivali “Venezia in Danza”, ku Baleti Kombëtar i Kosovës u ftua për herë të parë, përfshin institucione prestigjioze si Baleti i Romës dhe trupa ndërkombëtare të nivelit të lartë.

Me këtë paraqitje, Baleti Kombëtar i Kosovës ka vendosur një standard të ri në skenën ndërkombëtare, duke përfaqësuar artin skenik të vendit me profesionalizëm, origjinalitet dhe nivel të lartë artistik.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu