Amendamentet e Partisë Socialiste heqin referencat për identitet dhe shprehje gjinore, pavarësisht kritikave të shoqërisë civile.

Qeveria shqiptare ka hequr termat gjithëpërfshirës nga projektligji për barazinë gjinore, pas presionit të grupeve konservatore dhe fetare. Referencat si “identitet gjinor”, “shprehje gjinore”, “orientim seksual” dhe “karakteristika të seksit” u zëvendësuan me termat “burrë dhe grua”, duke shkaktuar kritika nga organizatat e shoqërisë civile.

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, dorëzoi dhjetra amendamente që fshijnë përkufizimet gjithëpërfshirëse, ndërsa deputetët socialistë, me propozim të Antoneta Dhimës, votuan për ndryshimin e neneve që zgjeronin fushën e mbrojtjes nga diskriminimi.

Qeveria argumenton përqendrim te barazia mes burrave dhe grave

Përfaqësuesit e qeverisë nuk kundërshtuan ndryshimet, duke theksuar se ligji synon mundësi të barabarta për gratë dhe mbrojtje nga diskriminimi gjinor.
Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Denada Seferi, sqaroi se koncepti i gjinisë synon një qasje të integruar ndaj diskriminimit dhe nuk krijon kategori të reja juridike:

“Gjatë gjithë projektligjit është përdorur binariteti burrë dhe grua dhe nuk devijon nga ky binaritet. Ligji nuk përcakton gjini, por flet për mosdiskriminimin gjinor.”

Ajo shtoi se koncepti “përkatësi të shumëfishtë” lidhet me faktorë të tjerë, si vendbanimi rural, përkatësia etnike apo statusi social, duke synuar barazi dhe fuqizim ekonomik të grave.

Opozita dhe shoqëria civile kundër amendamenteve

Deputetët e opozitës e kritikuan ndryshimin si një hap prapa në luftën kundër diskriminimit. Enno Bozdo tha se disa përkufizime të projektligjit mund të hapin “derën për doktrina që nuk mund t’i përcillen publikut shqiptar” dhe se koncepti i shumëfishtë gjinor “shpartallon kolona të rëndësishme të shoqërisë”.

Ndërkohë, koalicioni i organizatave të shoqërisë civile paralajmëroi se çdo dobësim i ligjit do të ishte një kthim pas për barazinë dhe të drejtat e grave shqiptare.

Debati publik dhe dezinformimi

Drafti fillestar i ligjit, i cili synonte të harmonizonte legjislacionin shqiptar me standardet e BE-së dhe konventat ndërkombëtare, përfshinte terminologji gjithëpërfshirëse si “identiteti gjinor” dhe “shprehja gjinore”. Ky fakt shkaktoi debat të ashpër publik dhe dezinformim, sidomos nga grupe konservatore dhe fetare që e konsideruan ligjin si një kërcënim për familjen tradicionale.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu