Dy ditë pasi u vu në pranga, avokati Ulian Barjami është liruar nga qelia me urdhër të Prokurorisë së Elbasanit. Bajrami u vu në pranga pas përplasjes me prokurorin Gjergji Ceka në seancën për konfirmimin e masave të sigurisë për 14 personat e arrestuar më 13 tetor në një lokal në Elbasan, mes të cilëve edhe Maksim Suçi, që mbrohej nga avokati Barjami.

Avokati u arrestua nga Oficerët e Policisë Gjyqësore dhe Prokuroria e Elbasanit ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të tij. Kur materialet kanë mbërritur në Prokurorinë e Elbasanit për vlerësim, organi i akuzës ka konstatuar se nuk ishin kushtet dhe nevojat për vijimin e këtij ndalimi, apo caktimin e një mase sigurimi, dhe për rrjedhojë kanë urdhëruar lirimin e menjëhershëm të tij.

“Lidhur me ndalimin e shtetasit U.B, nga ana e prokurorit të çështjes, është mbajtur qëndrimi se nuk ishin kushtet dhe nevojat për vijimin e këtij ndalimi dhe për kërkimin përpara gjyqtarit të hetimeve paraprake të vleftësimit të tij apo caktimit të një mase sigurimi personal. Për rrjedhojë, si pasojë ligjore ipso jure, është urdhëruar lirimi i menjëhershëm i të ndaluarit”, thuhet në reagimin e Prokurorisë së Elbasanit.

Prokuroria e Elbasanit ka një mesazh edhe për sistemin e drejtësisë, kur thotë se gjyqtarët, prokurorët, oficerët e policisë gjyqësore dhe avokatët janë shtyllat që mbajnë në këmbë sistemin e drejtësisë. Më tej, Prokuroria thekson se asnjë prej këtyre palëve nuk mund të funksionojë duke cenuar pavarësinë apo sigurinë e tjetrës

“Veç sa më lart, duke mos paragjykuar çështjen konkrete dhe ecurinë e hetimeve, gjejmë rastin të ritheksojmë se profesionistët e drejtësisë, gjyqtarët, prokurorët, oficerët e policisë gjyqësore dhe avokatët janë shtyllat që mbajnë në këmbë sistemin e drejtësisë. Asnjëra prej tyre nuk mund të funksionojë duke cenuar pavarësinë apo sigurinë e tjetrës. Sistemi i drejtësisë kërkon bashkëpunim institucional, respekt reciprok dhe integritet profesional nga të gjitha hallkat e tij”, thuhet në reagim.

Avokati u vu në pranga pas kallëzimit të bërë nga prokurori Ceka se ishte kërcënuar në seancë. Në audion e siguruar nga Report TV, të publikuar një ditë më parë, dëgjohej avokati teksa hodhi akuza për manipulim provash ndërsa iu drejtua prokurorit duke i thënë se do të merret personalisht me të dhe me oficerët e Policisë Gjyqësore dhe se do të bënte kallëzim pasi konstatonte elementë të veprës penale. Kjo deklaratë u mor si kërcënim nga prokurori dhe bëri kallëzim në polici. Avokati akuzohej për “Kanosja për shkak të detyrës”, “Kanosja e gjyqtarit” dhe “Kundërshtimi dhe goditja e gjyqtarit”.

Arrestimi i Barjamit bëri që avokatët në të gjithë vendin të merrnin vendimin për të bojkotuar të gjitha seancat nga sot deri më 25 tetor, përveç seancave për masat e sigurisë. Por, me lirimin e Barjamit pritet të shihet nëse Dhoma e Avokatisë do të tërhiqet nga bojkoti apo do ta vijojë deri për 5 ditë. Në reagimin e një ditë më parë, Dhoma e Avokatisë kërkoi gjithashtu shqyrtimin urgjent të çështjes nga ILD, KLGJ DHE KLP./shqiptarja

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu