
Një tragjedi e rëndë ka goditur familjen Azizllari në qytetin e Maliqit, ku një zjarr i rënë në banesën e tyre ka marrë jetën e Merjeme Azizllarit dhe të djalit të saj 14-vjeçar, Valter Azizllari.
Ngjarja ndodhi rreth orës 13:30, në bllokun nr. 3 të Maliqit. Flakët përfshinë banesën, ndërsa në momentin e zjarrit brenda ndodheshin nëna me dy fëmijët e saj.
Sipas burimeve për A2 CNN, nëna dhe fëmijët u transportuan me urgjencë drejt Spitalit të Korçës, por fatkeqësisht Merjeme dhe Valteri nuk mundën t’i mbijetonin asfiksisë së shkaktuar nga tymi. Vajza 6-vjeçare ndodhet aktualisht nën kujdes intensiv, në gjendje të rëndë shëndetësore.
Zjarrfikësit arritën të shuajnë flakët, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Korçës, po vijon punën për të përcaktuar shkaqet e rënies së zjarrit.
Ky është një prej rasteve më të rënda të regjistruara kohët e fundit në qarkun e Korçës, që ka tronditur të gjithë komunitetin e Maliqit.