Më 19 tetor 2025, qytetarët e Maqedonisë së Veriut po marrin pjesë në raundin e parë të zgjedhjeve lokale për kryetarë komunash dhe anëtarë të këshillave komunalë në të gjitha 80 komunat e vendit dhe në Qytetin e Shkupit. Këto janë zgjedhjet e teta lokale që organizohen që nga shpallja e pavarësisë së vendit në vitin 1991, duke shënuar një moment të rëndësishëm në zhvillimin demokratik të sistemit politik lokal.

Në garë për 81 pozita të kryetarëve të komunave janë paraqitur gjithsej 309 kandidatë, ndërsa për pozitat në këshillat komunalë garojnë mbi 10.000 kandidatë të radhitur në 576 lista. Procesi i votimit zhvillohet në 3.474 vendvotime në të gjithë territorin e vendit dhe do të zgjasë deri në orën 19:00, pas së cilës do të nisë numërimi i votave dhe publikimi i rezultateve të para paraprake.

Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 1.832.415 qytetarë, të cilët votojnë për përfaqësuesit e tyre në nivel lokal. Një ditë para votimit, më 18 tetor, të drejtën për të votuar e ushtruan edhe kategoritë e veçanta të votuesve, përfshirë të burgosurit, personat në arrest shtëpiak, të sëmurët dhe të moshuarit në shtëpi përkujdesjeje.

Zgjedhjet lokale të vitit 2025 mbahen më pak se dy vjet pas zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe presidenciale, të cilat u zhvilluan në prill dhe maj të vitit 2024. Ky është një cikël tjetër i rëndësishëm zgjedhor që vlerësohet si test për kapacitetin e institucioneve demokratike dhe për pjesëmarrjen qytetare në vendimmarrjen lokale.(INA)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu