
Jashtë sallës së Kuvendit, Taulant Balla, Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, komentoi situatën e krijuar nga opozita gjatë seancës së sotme, duke akuzuar Sali Berishën për tentativë për të monopolizuar foltoren dhe për të penguar zhvillimin normal të punimeve.
“Jemi në një situatë që nuk më duket e papritur. Këtu ka një strategji tepër të qartë të një personi të vetëm. Sali Berisha këtë e ka zanat”, tha Balla, duke iu referuar mënyrës se si opozita ka tentuar të marrë fjalën jashtë rregullores. Ai theksoi se fjala për procedurë duhet të merret vetëm kur lidhet me çështjet e rendit të ditës.
Balla iu referua gjithashtu disa rasteve konkrete, duke përmendur Artur Shehun, dhe sqaroi se ky person nuk ka lidhje me grupin parlamentar të PS-së dhe aktivitetet e tij: “Ky njeri që na kërkon përgjegjësi, t’ja kërkojë vetes. Unë nuk kam udhëtuar me të, asnjë nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste.”
Ai kritikoi edhe mënyrën se si Berisha ka tentuar të përdorë foltoren për të bllokuar debatet dhe ka ripërsëritur fjalën për procedurë disa herë, pavarësisht rregullores që lejon vetëm një herë për secilin deputet.
Balla sqaroi gjithashtu se mocionet me debat dhe kërkesat për komisione të posaçëm duhet të jenë të bazuara në rregullore dhe se Kuvendi nuk mund të lejojë shkelje të procedurave: “Tani ti kërkon një mocion me debat për një çështje pa debat. O do e bësh debatin, ose do ngrish një komision të posaçëm. Nuk ka monopole në foltore.”
Ai shtoi se Kuvendi është i gatshëm të shqyrtojë të gjitha kërkesat e grupeve parlamentare, për sa kohë ato janë të bazuara në rregullore dhe në formë e substancë, duke theksuar rëndësinë e transparencës dhe respektit për procedurat parlamentare.
Më tej, Balla u përgjigj edhe për pyetjet rreth pjesëmarrjes së ministrave në takime të ndryshme në Aruba, duke theksuar se raportet duhet të jenë të bazuara dhe dokumentuar: “Ju flisni për një raport të një institucioni. A mund ta kemi këtë raport? Sepse na rezulton që ky raport është konfidencial. Pra nuk është dokument zyrtar.”