
Pas më shumë se një dekade moratoriumi, gjuetia mund të lejohet sërish në Shqipëri, por vetëm në zona të miratuara.
gjuetia
Kjo është përmbajtja e projektligjit të ri, që është dërguar në Kuvend për miratim. Nëse miratohet, ky ligj do të përcaktojë kriteret dhe procedurat për lejet e gjuetisë, duke përfshirë zonat e lejuara, llojet e kafshëve që mund të gjuetohen dhe periudhat e lejuara për gjueti. Qëllimi i këtij ligji është të rregullojë dhe menaxhojë aktivitetin e gjuetisë në mënyrë të qëndrueshme dhe të sigurojë mbrojtjen e biodiversitetit.
LIGJI I RI
Qeveria ka miratuar dhe dërguar në Kuvend projektligjin që parashikon lejimin e gjuetisë vetëm në zonat e miratuara me ligj dhe gjuetarët do të kalojnë një test për të marrë lejen 5-vjeçare për këtë aktivitet. Gjithashtu, me miratimin e zonave të lejuara të gjuetisë do të përjashtohet gjuetia në pjesën tjetër të territorit të Shqipërisë. Qëllimi i draftligjjit të ri është përmirësimi i ligjit aktual në disa aspekte dhe nene të caktuara të tij, duke garantuar të drejtën e ushtrimit të gjuetisë dhe të të drejtave mbi gjahun, mbi trofetë e produktet e gjuetisë dhe të tregtimit të tyre si dhe do të inkurajojë përfshirjen e gjuetarëve në monitorimin, menaxhimin dhe kërkimin me qëllim përkujdesjen dhe ruajtjen e faunës së egër dhe të habitatit të saj. “Me miratimin e këtij draftligji, gjuetia do të zhvillohet vetëm në zonat e lejuara të gjuetisë dhe do të përjashtohen të gjitha territoret e tjera në Republikën e Shqipërisë”, – thuhet në projektligj.
MENAXHIMI I TERRITOREVE
Në projektligjin e ri që pritet të miratohet në parlament, synohet që t’u jepet më shumë përgjegjësi shoqatave për gjuetinë dhe të menaxhojnë territoret e tyre. “Futja e një koncepti të ri në këtë fushë, ajo e menaxhuesit të zonës së gjuetisë, i cili është personi kyç që në zonën e tij të gjuetisë do të sigurojë funksionimin e shërbimit profesional e do të organizojë veprimtarinë e gjuetisë, i cili do të zgjidhet sipas një procedure ligjore konkurrimi. Rëndësi merr edhe zhvillimi i instrumenteve ligjore për të mundësuar marrjen e masave konkrete për menaxhimin e terreneve në favor të biodiversitetit”, – thuhet në projektligj.
“Gjuetarët detyrohen të mbajnë kontakte me autoritetet dhe shoqëritë përgjegjëse për marrjen e masave të gjuetisë për të luftuar gjuetinë e paligjshme, në mënyrë që të arrihet në një gjueti të përgjegjshme”, – detajohet më tej në projektligj. Në projektligj janë parashikuar edhe zonat e lejuara për gjueti. “Zonat e lejuara për gjueti shtrihen në sipërfaqe që janë me pronësi shtetërore, private apo në përdorim të kombinuar zona e gjuetisë krijohet në sipërfaqe jo më të vogla se 500 ha, ndërsa zona për kultivimin e llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie, krijohet në sipërfaqe jo më të vogla se 50 ha zonat e gjuetisë dhe kufijtë i propozohen ministrisë nga njësitë përgjegjëse për gjuetinë. Zonat e gjuetisë miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për gjuetinë”, – thuhet në projektligj./Gazeta Panorama