
Partia Demokratike ka reaguar sot ndaj vendimit të kryeministrit Edi Rama për të shpërndarë medalje ari, argjendi e bronzi punonjësve të Zjarrfikësve dhe ekipeve të Emergjencave, duke e cilësuar këtë si “një tallje” dhe jo si nderim për sakrificat e tyre.
Në deklaratë, PD shprehet se “mbrojtja e vendit dhe qytetarëve nga rreziku i zjarreve nuk është sport”, ndërsa thekson se forcat e angazhuara në terren kanë nevojë për mjete moderne, infrastrukturë, paga të dinjitetshme dhe respekt institucional, e jo për “lavdërime boshe dhe medalje”.
Sipas demokratëve, fakti që zjarrfikësit dhe Forcat e Armatosura shpesh dalin me “lopata e degë pishash për të përballuar flakët”, dhe më pas dekorohen me medalje, është një ironi e hidhur përballë sakrificës së tyre. “Për ta çuar deri në fund komedinë, mund t’u kishte dhënë edhe ‘Lopata Ari’”, thuhet në reagim.
PD thekson gjithashtu se Shqipëria këtë verë ka pësuar dëme 2–3 herë më të mëdha nga zjarret në krahasim me vende të tjera, për shkak të mungesës së mjeteve kundër zjarrit. Sipas saj, me fondet e shpërdoruara apo të vjedhura në projekte dhe afera korruptive, qeveria mund të kishte blerë 10 avionë, 5 helikopterë dhe 150 mjete zjarrfikëse.
Në listën e shpenzimeve të përmendura nga PD përfshihen:
- 24 milionë euro për çarterin privat të Ramës;
- 130 milionë euro tek inceneratori i Tiranës;
- 50 milionë euro në tunelin e Llogarasë;
- 4 milionë euro për kopshtin e varur në Kryeministri;
- 7 milionë euro për “Giro d’Italia”.
Deklarata mbyllet me akuzën se qeveria kërkon ta mbyllë me ceremoni “krimin shtetëror të djegies së njerëzve, banesave, bagëtive dhe mbi 60 mijë hektarëve pyje, kullota e pemëtore”.
“Drejtësia mund të vonojë, por nuk do të harrojë përgjegjësitë për dëmet e këtij viti”, përfundon PD.