
Në udhëtimet e saj të gjata në Shqipërinë e fillimshekullit XX, Edith Durham – udhëtarja britanike që u bë një zë i fuqishëm në mbrojtje të shqiptarëve – ka lënë pas një mori dëshmish të vyera. Në librin e saj “Brenga e Ballkanit dhe vepra të tjera për Shqipërinë dhe Shqiptarët”, Durham përshkruan një episod interesant që ndodhi në kishën e Rubikut ku u drejtua me bujt pasi ra nata.
Në kujtimet e saj, ajo përshkruan se si një françeskan i huaj e pret me korrektësi, por me një përgjigje të qartë:
“…më doli përpara një françeskan i huaj, që më priti me fjalën ‘clausura’, më shpjegoi në mënyrë burrërore dhe miqësore që nuk kishte të më pranonin.”

“Clausura” – një term latin që nënkupton “vend i mbyllur” – ishte një rregull i pranuar në shumë urdhra fetarë, që ndalonte hyrjen e grave në ambientet e brendshme të manastirit.
Durham e respekton vendimin, por tregon se shoqëruesit e saj vendas mbetën të hutuar:
“Shoqëruesit u hutuan fare për rregullat e këtij manastiri dhe nuk mund të mësonin me zakonet e tyre. Mikpritja për huajt ishte një ndër detyrat e shenjta. Të mos e shkelje atë ishte një fyerje për popullin shqiptar.”
Pavarësisht ndërhyrjeve dhe përpjekjeve për ta bindur se ajo nuk ishte një udhëtare e zakonshme, rregulli nuk u thye. Durham përshkruan me kthjelltësi situatën, pa keqkuptime apo ankesë – thjesht si pjesë e asaj që ajo quante një Shqipëri me ligje të veta të brendshme, që duhen kuptuar me durim.
Kjo ndalesë e papritur në Rubik mbetet një nga shumë episode të rrëfimeve të Durham, ku ajo dokumenton me vërtetësi të rrallë jetën, zakonet dhe organizimin shoqëror në viset shqiptare të asaj zone.