Teksa sezoni turistik 2025 ka arritur kulmin, Greqia po përballet me një mungesë të thellë punëtorësh në sektorin e hoteleri-turizmit, duke e detyruar qeverinë të orientohet drejt rekrutimit të punonjësve nga jashtë Bashkimit Evropian. Shkaku? Punëtorët vendas nuk duan më të punojnë në kushte rraskapitëse dhe me përfitime të ulëta.

Sipas një raporti të Reporter.al, kriza ka nisur pas pandemisë së COVID-19, kur shumë grekë humbën vendet e punës dhe pagesat minimale nga shteti nuk i mbajtën dot ekonomikisht. Shumë prej tyre kanë zgjedhur të mos kthehen më në sektorin e turizmit, që karakterizohet nga punë sezonale, orë të gjata pune, kushte të vështira jetese dhe një sistem sigurimesh që nuk garanton pension të plotë.

Vetëm për vitin 2024, mungesa në sektorin e hoteleve arriti në rreth 54 mijë vende pune, sipas Institutit të Kërkimeve për Turizmin. Mungesa është veçanërisht e ndjeshme në pozicione si recepsionistë, pastruese, kuzhinierë dhe kamarierë. Në shumë zona, si Halkidiki, 75% e bizneseve raportojnë vështirësi serioze për të gjetur staf.

Qeveria greke miratoi këtë vit mbi 89 mijë kuota për punëtorë nga vende të treta, për sektorë si bujqësia, ndërtimi dhe turizmi. Por sipas sipërmarrësve, rekrutimi i këtyre punëtorëve është i ngadalshëm për shkak të procedurave burokratike dhe vonesave në lëshimin e vizave.

Sipas Gianna-s, menaxhere e një hoteli në Kos, për të mbushur vendet e punës, janë sjellë punëtorë nga Maroku dhe Filipinet, por vështirësitë vazhdojnë. Ajo thotë se punëtorët grekë me përvojë po largohen për në vende si Zvicra, ku kanë kushte më të mira dhe punësim gjithëvjetor.

Në letër, pagat duken të mira – mbi 1,000 euro në muaj për disa kategori – por për shkak se puna zgjat vetëm 4-6 muaj në vit dhe sigurimet janë të ulëta, punëtorët nuk sigurojnë as pension të plotë. Vetëm 100-150 ditë sigurimi grumbullohen në vit, ndërkohë që për pension të plotë duhen 7,500 ditë.

Presidenti i sindikatës POEET, Giorgos Hotzoglou, thekson se edhe mjetet si karta digjitale e punës, që duhej të garantonte kufizimin e orarit në 6 ditë në javë, nuk po funksionojnë siç duhet. Në praktikë, shumë punonjës raportojnë se punojnë edhe 7 ditë në javë nga 12-13 orë në ditë.

Ai nënvizon gjithashtu se rekrutimi nga vendet e treta nuk është zgjidhje afatgjatë, pasi punëtorët e huaj nuk kanë trajnim të mjaftueshëm dhe nuk mund të mbulojnë mungesën e personelit të specializuar.

Në fund të ditës, Greqia po përballet me një krizë strukturore në industrinë që përbën shtyllë të ekonomisë së saj, ndërsa rrezikon të dëmtojë cilësinë e shërbimeve dhe përvojën turistike për të cilën njihet.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu