Aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje duket se do të zhvillohet pa ndërprerje për gjatë muajit Korrik.

Kryeminsitri Edi Rama mblodhi sërish herët, mëngjesin e kësaj të hëne, deputetët e PS të qarkut Tiranë dhe drejtorët e bashkisë me argumentin se Tirana është një ndër pikat më të nxehta

“Ka nevojë të bëhet një punë e mirë nga kryeinspektori por ka nevojë për t’u vazhduar në të gjithë territorin dhe të gjithë ato të dhëna që po mblidhen nga deputetët duhet të kthehen në plane veprimi. Paralelisht kemi ngritur një grup prej 60 arkitektësh lokalë, të ndarë në 8 grupe për projektimin e ripërtëritjes së pikave se ku do të bëhen prishjet dhe do të lirohen hapësirat. Do të jetë rilindja urbane 2.0 në Tiranë dhe në qytetet e mëdha.

Do të jetë jo e lehtë, por e pandalshme, konstante dhe do të vazhdojë deri kur të konstatojmë që nuk ka më tendenca të kundërta. Është gjithmonë e më pak, por prapë është shumë. Nuk mund të krahasohet me vite më parë nga pikëpamja e kaosit që krijohet por është tepër dhe duhet vënë kufiri përfundimisht gjithë kësaj veprimtarie abuzive në të gjithë territorin. Të vihet kufiri edhe me një aspekt tjetër. Nuk ka pronë private rreth e përqark një pallati të ri. Leja e ndërtimit jepet për këtë ndërtim mbi një territor dhe prandaj ligji ka koeficientin e shfrytëzimit”, tha Rama.

Zero tolerancë për këdo që nuk respekton ligjin tha Rama, duke sjell edhe njëherë në kujtesë rëndësinë e integrimit në BE

“Ne nuk kemi asnjë minutë për të humbur se kemi marrë përsipër të hyjmë në BE. Kemi marrë përsipër të përmbyllim legalizimet brenda 2028. Historia ndërto që të legalizosh nesër nuk do të ecë më dhe të gjithë ato ngrehina të ngritura për qëllim fitimi, apo çdo lloj ngrehine e ngritur në cenim të hapësirës publike të projekteve të infrastrukturës, të zonave të mbrojtura do të rrafshohet. Nuk do të ketë asnjë tolerancë, dialog, asnjë ndalim më në këtë proces dhe për këtë arsye është e rëndësishme që të gjitha skuadrat e deputetëve që morën së bashku 83 mandate të jenë pranë komuniteteve dhe në anën e shumicës dërrmuese të njerëzve që janë penguar dhe pengohen çdo ditë në jetën e tyre komunitare nga ata që me guxim të tepërt, por edhe për shkak të mbylljes së syve në shumë forca inspektimi në terren kanë pushtuar hapësirat publike”, u shpreh kryeministri.

Kreu i qeverisë hodhi poshtë zërat se aksioni që po zhvillohet në zonën turistike të Thethit do të jetë për shkak të ndërtimit të resorteve turistike, ndërsa sqaroi se shumë prej ndërtuesve nuk janë banorë të zonës.

“Aty nuk bëhet fjalë për të lejuar ndërtime dhe për të bërë resorte turistike. Është jashtë çdo lloj opsioni. Të gjitha teoritë lidhur me këtë operacion janë për të ardhur keq, janë të bazuara në dezinformim. Thethi dhe banorët e tij nuk janë ata që janë shfaqur nëpër ekrane, ata janë një grusht njerëzish që nuk kanë lidhje me të vërtetën e kësaj historie. Ne do vazhdojmë t’i mbështesim të gjithë ata njerëz që kanë prona nëpër male. Madje kemi bërë dhe Paketën e Maleve”, deklaroi Rama.

Sa i përket zgjedhjeve të parakohshme në Bashkinë e Tiranës mësohet se kryeministri ka kërkuar që drejtorët të mos ndikohen nga ky fakt. Së shpejti do të ngrihen edhe zyra që do të ndihmojnë qytetarët për aksesin në E-Albania.

/vizionplus.tv

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu