
Grupi hetimor ka nisur një hetim të thelluar për vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra, i cili u gjet i ekzekutuar me armë zjarri pak ditë më parë.
Aktualisht po hetohet në dy pista kryesore që lidhen me të shkuarën e të riut gjatë qëndrimit të tij në Gjermani.
Sipas të dhënave të para, Dobra kishte pasur probleme me ligjin në shtetin gjerman, ku mësohet se ka qëndruar për një periudhë kohe në burg. Pikërisht kjo e kaluar, sipas hetuesve, po shihet si një element kyç që mund të ndihmojë në zbardhjen e motivit të krimit.
Pista kryesore e hetimit lidhet me dyshimet për përfshirjen e tij në veprimtari kriminale, konkretisht në trafikun e lëndëve narkotike. Grupi hetimor po punon për të verifikuar nëse viktima ka pasur konflikte të hapura me persona të lidhur me këtë aktivitet, qoftë në Shqipëri apo jashtë saj./balkanweb