
Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi të martën se planifikon të vendosë tarifa mbi ilaçet e importuara, të cilat mund të arrijnë deri në 200%. Megjithatë “lajmi i mirë” për kompanitë farmaceutike është se ai do t’u japë një vit kohë “për të vënë në rregull punët e tyre”.
“Do t’u japim njerëzve rreth një vit, një vit e gjysmë që të veprojnë, dhe pas kësaj, do të tarifohen”, tha Trump për gazetarët gjatë një takimi të kabinetit në Shtëpinë e Bardhë.
Ai njoftoi gjithashtu se planifikon tarifa për importet e gjysmëpërçuesve.
“Nëse duhet t’i sjellin barnat në vend… ato do të tarifohen me një normë shumë, shumë të lartë, si 200%. Do t’u japim një periudhë të caktuar kohe për të vënë në vijë gjërat,” u shpreh ai.
“Do të shpallim tarifa për barnat, për çipat dhe për disa produkte të tjera – ato më të mëdhatë,” tha Trump, ndërsa bëri të ditur edhe një normë të re tarife për bakrin. Ai nuk dha detaje për kohën kur do të shpallen tarifat e tjera.
Administrata Trump nisi një hetim ndaj industrisë farmaceutike në prill, me qëllimin për të vendosur tarifa duke argumentuar se varësia e madhe nga prodhimi i huaj i barnave përbën kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA-ve. Departamenti i Tregtisë, që po zhvillon hetimin, ende nuk e ka publikuar raportin përfundimtar.
Sekretari i Tregtisë, Howard Lutnick, tha për CNBC pas mbledhjes së kabinetit se detajet për tarifat e barnave “do të bëhen publike në fund të muajit”.
“Për barnat dhe çipat, studimet përkatëse përfundojnë në fund të muajit dhe atëherë presidenti do të përcaktojë politikat e tij. Do ta lëmë atë të vendosë se si do të veprojë,” tha Lutnick.
Kompanitë farmaceutike kanë paralajmëruar se tarifat mund të rrisin rrezikun e mungesave dhe të kufizojnë aksesin e pacientëve te barnat. Megjithatë, Trump ka këmbëngulur në vendosjen e tarifave, duke argumentuar se SHBA-të duhet të prodhojnë më shumë barna brenda vendit për të shmangur varësinë nga furnizimi ndërkombëtar.
Këto kompani kanë lobuar që tarifat të zbatohen gradualisht, për të zbutur ndikimin financiar dhe për t’u dhënë kohë për të zhvendosur prodhimin. Ata argumentojnë se zhvendosja e prodhimit drejt SHBA-ve kërkon angazhim të madh financiar dhe vite për t’u realizuar, duke qenë se shumica e prodhimit ndodhet aktualisht në SHBA, Europë dhe Azi./tvklan