
Elbasan, 8 korrik 2025 – Ministri i Mbrojtjes, z. Pirro Vengu, së bashku me ministrin e Brendshëm, z. Ervin Hoxha, zhvilluan një inspektim në fushën e mbetjeve urbane në Elbasan, pas një zjarri të rrezikshëm që përfshiu zonën ditët e fundit, i nxitur nga temperaturat e larta të kësaj vere.
Në këtë vizitë ishin të pranishëm edhe kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, dhe prefekti i Qarkut, z. Ilir Bejtja.
Gjatë inspektimit, ministri Vengu vlerësoi maksimalisht punën e strukturave zjarrfikëse, emergjencave civile vendore, Forcave të Armatosura dhe institucioneve të përfshira në menaxhimin e situatës. Ai theksoi se, falë ndërhyrjes së shpejtë dhe të koordinuar, u arrit të shmangej një katastrofë mjedisore dhe të mbrohej shëndeti i komunitetit.
Zjarri u neutralizua me ndihmën e mjeteve zjarrfikëse nga Elbasani dhe bashkitë fqinje, si dhe përdorimit të teknologjisë, përfshirë një dron për monitorim ajror dhe identifikimin e vatrave aktive.
Ministri i Mbrojtjes nënvizoi se ngjarje të tilla nxjerrin në pah nevojën urgjente për modernizimin e plotë të sistemit të emergjencave civile. Ai propozon:
Instalimin e kamerave termike për monitorim të vazhdueshëm në landfill-e;
Stacionimin e një mjeti zjarrfikës në gatishmëri të përhershme në çdo zonë të tillë të rrezikuar.
“Një zhvillim premtues është përfshirja e industrisë sonë të mbrojtjes në prodhimin vendas të pajisjeve për emergjencat civile. Kompania shtetërore KAYO ka nisur punën për prodhimin e zjarrfikëseve dhe pajisjeve të tjera të specializuara, për të përmbushur nevojat kombëtare dhe për të rritur pavarësinë teknologjike të vendit,” – deklaroi ministri Vengu.
Në përfundim të inspektimit, u ritheksua rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe investimeve në teknologji moderne për përballimin në kohë të emergjencave dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve.
Për ngjarjen në fjalë është ngritur një grup pune me ekspertë vendas dhe të huaj, i cili do të realizojë një vlerësim të plotë të situatës dhe do të propozojë masa konkrete për të shmangur përsëritjen e rasteve të ngjashme.