Pas zbarkimit të kryeministrit Edi Rama në Vlorë dhe deklaratave të tij të forta për lirimin e hapësirave publike, një aksion i ngjashëm ka nisur edhe në qytetin e Durrësit.

Efektivë të Policisë Bashkiake janë parë pasditen e së hënës në bulevardin “Epidamn”, ku kanë ndërhyrë për të liruar hapësirat publike të zëna nga subjektet private që ushtrojnë aktivitet tregtar.

Gjatë aksionit, janë larguar një pjesë e tavolinave, karrigeve dhe çadrave që bizneset kishin vendosur mbi trotuare.

Ky operacion synon të rikthejë hapësirat publike në dispozicion të qytetarëve dhe turistëve, dhe duket se vjen si vazhdimësi e direktivave të dhëna nga kryeministri Rama pak ditë më parë në Vlorë.

Kujtojmë se gjatë vizitës atje, Rama kërkoi dorëheqjen e të gjithë drejtorëve të bashkisë, duke i konsideruar përgjegjës për situatën e krijuar në qytetin bregdetar.

Deri tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga përfaqësuesit e Bashkisë së Durrësit, por burime zyrtare bëjnë me dije se aksioni do të vijojë edhe në zona të tjera të qytetit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu