
Policia e Kosovës ka urdhëruar sot të gjithë deputetët dhe stafin e Kuvendit të Kosovës të evakuohen nga objekti, pasi ka qenë një telefonatë se brenda objektit është një bombë.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Zejnullah Gashi, tha nga vendi i ngjarjes se kërcënimi ka rezultuar se është i rrejshëm.
“Njoftimi për kërcënim me bombë ka ardhur rreth orës 10:54. Gjitha njësitet e policisë kanë dalur në vendin e ngjarjes, përfshirë edhe Prokurorinë Themelore të Prishtinës. Në vendin e ngjarjes janë edhe njësit k9 dhe njësiti për deminim, të cilët kanë bërë punën e vetë edhe ka rezultuar se është kërcënim i rrejshëm”, u shpreh ai.
Zejnullahu tha se do të vazhdojnë me hetimet se nga ka ardhur telefonata anonime.
“Nuk ka diçka që ja vlen të ceket nga vendi i ngjarjes, hetimet për thirrjen telefonike do të vazhdojnë, ka qenë me zë mashkulli me gjuhë angleze, ne mendojmë që është me aksent të shteteve jo mike”, potencoi ai.
Ndryshe, Policia e Kosovës bëri të ditur se sot me datë 05.07.2025 në orët e paradites, është pranuar një informatë (me sms), për një kërcënim me mjet shpërthyes në objektin shtetëror të RKS-së.
“Me të pranuar informatën, janë angazhuar njësitë kompetente policore, të cilat fillimisht kanë bërë perimetrin e sigurisë dhe kanë evakuuar personat nga objektet”, ka konfirmuar policia.
Policia e Kosovës, ka njoftuar prokurorinë kompetente dhe hetuesit policorë të cilët së bashku me njësitë dhe ekspertët përkatës për deminim, janë duke marrë veprimet e duhura të kontrollit në objekt./Telegrafi