
Një copëz e vogël, e ndryshkur, e mbështjellë me kujdes në një letër – kjo është gjithçka që i ka mbetur Serhiy Melnykut nga një përballje me vdekjen. Kjo copë shrapneli i goditi veshkën, mushkëritë dhe… zemrën. “Nuk e kuptova menjëherë çfarë kishte ndodhur. Thjesht ndihesha pa frymë nën jelekun antiplumb”, rrëfen ai për BBC.
Në fushëbetejat e Ukrainës, ku dronët e pajisur me eksplozivë kanë ndryshuar mënyrën e luftës, plagët nga shrapneli përbëjnë tashmë deri në 80% të traumave të ushtarëve.
Në rastin e Serhiy-t, kjo plagë mund të kishte qenë fatale. Por falë një pajisjeje të re, një ekstraktori magnetik, ai është gjallë.
“Bëjmë një prerje shumë të vogël, fusim magnetin dhe ai tërheq shrapnelin jashtë pa pasur nevojë të hapim zemrën,” shpjegon kirurg kardiovaskular, Serhiy Maksymenko. Vetëm në një vit, ekipi i tij ka realizuar mbi 70 operacione të suksesshme në zemër me këtë teknologji.
Pajisja është shpikur nga Oleh Bykov, një ish-avokat që prej vitit 2014 është vullnetar në frontin ukrainas. Nga bisedat me mjekët ushtarakë, ai krijoi magnetët ekstraktorë që sot janë të pazëvendësueshëm. Pajisja funksionon duke tërhequr fragmentet metalike nga trupi pa pasur nevojë për ndërhyrje të mëdha kirurgjikale.
Teknologjia, ndonëse nuk ka marrë ende certifikim zyrtar, po shpëton jetë çdo ditë në spitalet dhe klinikat e improvizuara në vijën e frontit. “Në kohë lufte, nuk ka kohë për burokraci. Këto pajisje shpëtojnë jetë”, thotë Bykov, i cili deklaron se është i gatshëm të përballet edhe me drejtësinë nëse dikush e quan këtë veprim një krim.
Kirurgu i njohur britanik, David Nott, i cili ka punuar në zona lufte në mbarë botën, e quan këtë shpikje një revolucion në mjekësinë e luftës. “Të kërkosh për copëza shrapneli në trup është si të kërkosh gjilpërën në kashtë. Kjo pajisje e bën procesin të thjeshtë dhe jetik,” thekson ai.
Deri më tani, mbi 3,000 magnetë ekstraktorë janë shpërndarë në spitale dhe te mjekët e frontit. Për ushtarin Serhiy dhe familjen e tij, kjo shpikje është më shumë se një pajisje – është arsyeja pse ai është ende gjallë.
“Dua të falënderoj ata që shpikën këtë pajisje,” thotë e përlotur bashkëshortja e tij, Yulia. “Falë tyre, bashkëshorti im është ende këtu.”