Uashington, 21 maj 2025 (AFP) – Presidenti amerikan Donald Trump befasoi presidentin e Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, gjatë një takimi zyrtar në Zyrën Ovale, duke i shfaqur një video që sipas tij dëshmonte për një “gjenocid” kundër popullsisë së bardhë dhe sidomos fermerëve në Afrikën e Jugut.

Në një moment të pazakontë për një takim diplomatik, Trump u kërkoi stafit të vendoste videon në një ekran të madh përpara mediave, ndërsa Ramaphosa shpesh nuk mundi të futej në bisedë. Sipas Trump, pamjet tregonin afrikano-jugorë me ngjyrë që flisnin për dhunë sistematike ndaj fermerëve të bardhë.

“Ju lejoni që t’u merret toka, pastaj kur u merret toka, ata vriten, dhe kur ndodh kjo, askush nuk ndëshkohet,” tha Trump. Ai shtoi se nëse kjo situatë nuk zgjidhet, “do të jetë fundi i vendit.”

Presidenti amerikan e kishte quajtur Ramaphosën “kontrovers” në komentet hyrëse dhe shfaqi gjithashtu artikuj mediash që, sipas tij, mbështesnin akuzat për dhunë kundër të bardhëve në Afrikën e Jugut.

Në një përgjigje të menjëhershme, Ramaphosa e mohoi kategorikisht se shteti konfiskon tokë nga fermerët e bardhë, duke iu referuar një ligji të ri për rishpërndarjen e tokës të nënshkruar në janar, i cili ka për qëllim korrigjimin e padrejtësive historike nga koha e regjimit të pakicës së bardhë.

“Jo, jo, jo – askush nuk mund të marrë tokë në këtë mënyrë,” tha Ramaphosa, duke shtuar se shumica e viktimave të kriminalitetit në vend janë në fakt qytetarë me ngjyrë.

Takimi përfundoi me një shkëmbim të ftohtë dhe një atmosferë të sikletshme, që nxori në pah tensionet e thella mes dy liderëve mbi çështjet e të drejtave të njeriut dhe perceptimit ndërkombëtar për politikat e brendshme të Afrikës së Jugut.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu