Me një ekip prej 60 vëzhguesish, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Qëndresa Qytetare dhe Instituti i Studimeve Politike, kanë nxjerr konkluzionet paraprake të monitorimit të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.

Gjatë procesit të votimit, vëzhguesit e KShH-së dhe Qëndresës Qytetare e shtrinë monitorimin në 163 Qendra Votimi në 17 Bashki të Vendit, përkatësisht në Malësi e Madhe, Shkodër, Lezhë, Dibër Kukës, Elbasan, Tiranë, Durrës, Vlorë, Korçë, Fier, Lushnje, Berat, Gjirokaster, Fushë Krujë, Kurbin, Pogradec si dhe 3 QV të posaçme të vendosura në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale.

ISP u angazhua në monitorimin e raportimeve mediatike, deklaratave dhe akteve të partive politike/subjekteve elektorale. Ndërkohë ka filluar procesi i monitorimit të numërimit të votave në 36 VNV, i cili vijon.

Dita e zgjedhjeve të 11 majit 2025 shfaqi të njëjtin trend të disa zgjedhjeve të fundit në Shqipëri, kryesisht një klimë e qetë dhe pjesëmarrje të pjesës aktive qytetare, mbulim të gjerë mediatik dhe prani të zgjeruar të partive politike dhe kandidatëve, mesazhe sensibilizuese për pjesëmarrje dhe administrim aktiv nga KQZ për problematikat e shfaqura. Zgjedhjet nuk janë një ditë, procesi zgjedhor është i gjatë dhe organizatat tona kanë pasur disa qëndrime mbi problematikat e deritanishme, përfshirë deklarata e përbashkët më 11.01.2025 dhe 02.05.2025. Në raportet tona finale do të ketë qëndrime dhe vlerësime për të gjithë elementët e monitorimit. Ndërkohë, qëllimi ynë është shprehja e qëndrimeve paraprake nga pikëpamja e shoqërisë civile lidhur me zhvillimet e ditëve të fundit të procesit dhe problematikave të lidhura me to.

Heshtja Zgjedhore

Vëzhguesit konstatuan raste të mos respektimit të heshtjes zgjedhore gjatë 24 orëve që i paraprinë procesit të votimit, si postime elektorale në rrjete sociale të kandidatëve të caktuar, shpërndarje të materialeve propagantistike në hapësirën publike me afishimie të billboard-ve dhe raste kur zyra elektorale janë mbajtur hapur. KQZ duhet të shqyrtonte në kohë të arsyeshme denoncimet e adresuara për cenim të heshtjes zgjedhore dhe nëse janë kushtet të vendoste masat administrative sipas nenit 174 të Kodit Zgjedhor.

Gjatë ushtrimit të së drejtës së votës ditën e votimit, në kundërshtim me kërkesat e heshtjes zgjedhore, përfaqësues të partive politike ose kandidatë për këto zgjedhje kanë bërë deklarata që teksa pozitivisht kanë nxitur pjesëmarrjen e shtetasve në votime, direkt ose indirekt, përmbanin mesazhe politike propaganduese.

Klima e Përgjithshme dhe Rendi Publik

Klima e përgjithshme ditën e votimit shënoi disa incidente të panevojshme, që reflektojnë më shumë tensionet, keqkuptimet dhe mobesimin midis palëve politike. Në dallim nga shumë prej zgjedhjeve të kaluara nuk u shënuan incidente të rënda. Megjithatë, në disa prej QV të monitoruara atmosfera midis komisionerëve dhe vëzhguesve partiakë ka qenë tejet e polarizuar duke shkaktuar debate të forta, pezullim të procesit apo thirrjen e forcave të policisë.

Gjatë procesit të votimit pati sinjalizime nga vëzhgues partiakë, komisionerë dhe deputetë për abuzime dhe intimidim të zgjedhësve sikurse ishin rastet e shenjuara në Bashkitë Lushnje, Tiranë (afër Shkollës Petro Nini), Pogradec, Vorë, etj. Lidhur me këto raste, të përsëritura janë format e reagimit me elementë të marrjes apriori përsipër të funksioneve policore e të drejtësisë nga përfaqësues të subjekteve zgjedhore, çka është e papranueshme në një shtet të së drejtës, por edhe për mesazhet qe jepen tek qytetarët, kur ata vlerësojnë se përballen me një padrejtësi.

Duke patur parasysh kontestimet e aktorëve politikë për angazhimin e strukturave të Policisë së Shtetit, ne vlerësojmë se Prokuroria duhet të merrte një rol pro-aktiv në drejtimin e procesit të verifikimit dhe nëse ishte e nevojshme të fillonte menjëherë hetimin. Gjithashtu të gjitha rastet, për të gjithë përsonat e përfshirë, pavarësisht nga statusi politik, duhet të ketë hetime dhe vendimmarrje ligjore objektive, të pavarura që garantojnë barazi pa asnjë dallim para ligjit.

Ndërgjegjësimi i zgjedhësve dhe pjesëmarrja në votime

Vëzhguesit kanë raportuar, se në shumicën e rasteve, zgjedhësit nuk kanë qenë të ndërgjegjësuar për emrin e tyre në listë, mbi mënyrën e votimit, pra sa i përket fletës së votimit që duhet të plotësonin, si dhe hedhjen e saj në kutinë e votimit.

Të dhënat e publikuara nga KQZ për pjesëmarrjen në këto zgjedhje 42%, nga votuesit brenda vendit,) tregojnë një numër më të ulët votuesish në raport me zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2021. Edhe pse partitë politike kishin mundësi të zhvillonin një garë zgjedhore demokratike dhe të kulturuar, në fakt u vërejt se shumë pak hapësirë ju kushtua prezantimit të platformave e risive të tyre për zgjedhësit. Kjo fushatë, si në median audiovizive dhe atë sociale u karakterizua nga një gjuhë e ashpër denigruese midis liderave partiakë dhe kandidatëve garues, me elementë të urrejtjes. Për rrjedhojë, ne vlerësojmë se fushata ndikoi në përkeqësimin e klimës së mosbesimit të qytetarëve tek zgjedhjet, partitë politike dhe e drejta e votës.

Procesi i votimit

Vëzhguesit raportojnë se procesi i përgatitjes dhe i hapjes së QV të monitoruara në tërësi ka qenë i rregullt, ndërkohë që janë konstatuar edhe problematika në disa drejtime si mungesa e energjisë elektrike , mangësi për përdorimin dhe regjistrimin me kamera të procesit, mungesa e komisionerëve , vonesat për hapjen e QV , mungesa në radhët e komisionerëve, probleme teknike në funksionimin e pajisjeve PEI .

Vëzhguesit kanë raportuar raste konkrete të problemeve sistemike të procesit zgjedhor, të përsëritura edhe në zgjedhjet e kaluara, sikurse janë disa raste të votimit familjar apo mos respektimit të procedurave për dhënien e ndihmës ndaj zgjedhësve që për shkak të aftësive të veçanta nuk mund të votonin vetë .

Gjithashtu, në media është raportuar për disa raste të referuara nga Komisionerët në strukturat e policisë, për fotografim të votës nga zgjedhësit, në kundërshtim me nenin 109 pika 2 të Kodit Zgjedhor. Vëzhguesit raportojnë se qasja e Komisionerëve për të mos lejuar zgjedhësit që të futen në dhomën e fshehtë me çanta dhe aparatë celular nuk ka qenë e unifikuar. Kështu psh, në QV 1921/01 në Elbasan, midis Komisionerëve ka patur diskutime për dyshim të fotografimit të votës, pasi vetëm kur zgjedhësi ka dalë nga dhoma e fshehtë është vërejtur se ka patur një çantë krahu.

Vëzhguesit kanë raportuar, edhe pse në shkallë shumë më të ulët krahasuar me zgjedhjet e kaluara, probleme teknike në funksionimin e pajisjeve të identifikimit elektronik të zgjedhësit (PEI) ose si rrjedhojë e mosnjohjes së identitetit të zgjedhësit në disa raste nga kjo pajisje, çka ka sjellë edhe largim në raste sporadike të zgjedhësve, flukse të zgjedhësve që në orët e para të mëngjesit apo ngadalësim në vijimësi të procesit . Mgjth, problematika të tilla janë zhbllokuar në sajë të zëvendësimit të pajisjeve apo kthimit të procesit të identifikimit të zgjedhësit, nga elektronik në manual. Probleme edhe pse sporadike janë vërejtur me kamerat e vendosura në QV e monitoruara .

Personat e paautorizuar dhe sjellja e vëzhguesve partiakë

Me shqetësim vërejmë se në disa nga QV të monitoruara është vërejtur prezencë e personave të paautorizuar brenda perimetrit 150 m të QV, sjellje të papërshtatshme me elementë diktues dhe që krijojnë premisa për intimidimin e zgjedhësve nga vëzhguesit partiakë si dhe persona që qëndrojnë jashtë perimetrit 150 m por vëzhgojnë në mënyrë sistematike zgjedhësit që hyjnë e dalin nga QV.

Vëzhgues partiakë në QV të monitoruara në Durrës shoqëronin zgjedhësit, u jepnin udhëzime si të votojnë si dhe merrnin role të komisionerëve në ndjekjen e procedurave të votimit . Në këto QV u vërejt prezencë e lartë personash në perimetrin e jashtëm, afër tyre si dhe vëzhgues të paakredituar brenda perimetrit. Në një prej QV të këtij qyteti është vërejtur edhe prezencë e një personi të armatosur në perimetrin e jashtëm.

Prezencë e personave të paautorizuar apo vëzhguesve partiakë pa bexha akreditimi janë vërejtur edhe në QV të tjera . Në QV 1135/00 në Dibër, vëzhguesi i partisë socialiste qëndronte në kundërshtim me pozicionimin që kanë vëzhguesit partiak në QV, prapa anëtarëve të KQV për të verifikuar kush voton e kush jo. Nga i njëjti subjekt zgjedhor janë raportuar vëzhgues partiakë që mbajnë lista që identifikojnë zgjedhësit që kanë votuar ose jo, ku në disa raste të dhënat merreshin në kundërshtim me ligjin zgjedhor dhe atë për mbrojtjen e të dhënave personale, nga vetë Komisionerët që u’a komunikonin me zë të lartë numrat rendorë apo emrat e zgjedhësve .

Në përfundim, vlerësojmë si veçanërisht shqetësuese gjetjen se, shpeshherë, vëzhgues partiakë kanë pasur një bashkëpunim të vazhdueshëm me Komisionerët, për të parë nëse individë të caktuar kanë shkuar për të votuar apo jo. Kjo formë “bashkëpunimi” e cila vijon e përsëritur, kërkon adresimin me prioritet të nevojës për depolitizimin e të gjitha organeve të administrimit zgjedhor.

Aksesi i vëzhguesve

Në tërësi, aksesi i vëzhguesve në QV-të e monitoruara ishte i plotë. Megjithatë, pati disa raste kur ata u ndeshën me pengesa, sikurse ishte sjella e Komisionerëve në QV 1474 1474/1 1450 1448 në Durrës, ku vëzhguesi i KShH si dhe vëzhguesit e tjerë në këto QV u përjashtuan dhe nuk u lejuan të monitorojë procedurat e mbylljes së këtyre QV-ve.

Vëzhguesit kanë qenë pro-aktiv në depozitimin e vërejtjeve drejtuar Komisionerëve për shkelje të rënda të legjislacionit zgjedhor në procesin e administrimit të votimit. Nga Qendresa Qytetare janë depozituar 4 vërejtje me shkrim ndërsa nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit janë adresuar tri vërejtje me shkrim. Gjithashtu, organizatat tona kanë sinjalizuar shkelje të veçanta apo në grup pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Monitorimi i Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale

Vëzhguesit e KShH-së monitoruan QV e posaçme të ngritura në 3 IEVP, përkatësisht “Mine Peza” në Tiranë (302), “Jordan Misja” në Tiranë (313) dhe IEVP Durrës. Në përgjithësi, procesi i votimit të shtetasve të dënuar dhe paraburgosur është realizuar në mënyrë të rregullt dhe në një klimë të qetë. Në IEVP 313 ka patur ankesa të të dënuarve drejtuar Institucionit të Avokatit të Popullit, për pamundësinë e ushtrimit të së drejtës së votës nga disa shtetas të privuar nga liria, për shkak të mungesave të kartave të identitetit.

Raportohen raste sporadike të perceptimeve nga Komisionerë në IEVP 313 se të dënuarit janë dëgjuar që porosisin njëri tjetrin për të votuar mirë dhe me kujdes. Në QV të vendosur pranë IEVP Durrës (në ambientet e xhamisë së institucionit), u vërejt mbipopullim në korridorin që të çonte drejt kësaj QV, çka krijonte premisa që të dënuarit në bashkëbisedim të ndikonin tek njëri tjetri.

Numërimi i votave

Pas mbylljes së procesit të votimit për zgjedhjet parlamentare, vëzhguesit tanë vijuan monitorimin pjesërisht të procesit të numërimit në 36 VNV, të vendosura pranë godinave të KZAZ-ve, në 17 Bashki të Vendit, përkatësisht në Malësi e Madhe, Shkodër, Lezhë, Dibër Kukës, Elbasan, Tiranë, Durrës, Vlorë, Korçë, Fier, Lushnje, Berat, Gjirokaster, Fushë Krujë, Kurbin dhe Pogradec.

Në përgjithësi, procesi i numërimit ka paraqitur problematika të përsëritura. të tilla si raste sporadike të debateve midis kandidatëve, vëzhguesve partiakë, numëruesve, si dhe zëvendësime të këtyre të fundit. Vijon të ngelet shqetësues fenomeni i trajnimit të anëtarëve të Grupeve të Numërimit, përpara fillimit të procesit: një situatë e tillë krijon vonesa të konsiderueshme në shpalosjen e rezultatit të procesit të votimit. Për më tepër, shprehim shqetësim lidhur me efektivitetin e aspekteve teknike të mbylljes së votimit: në një numër të konsiderueshëm rastesh, mungesa e Procesverbaleve të Hapjes dhe të Mbylljes së Votimit ka shkaktuar pengesa në gjetjen e këtyre dokumenteve në kutinë e materialeve të votimit nga GNV-të, çka ka sjellë vonesa të tjera në fillimin e procesit të numërimit.

Megjithëse të rralla, kemi konstatuar edhe raste ku anëtarët e GNV-ve janë zëvendësuar menjëherë përpara fillimit të procesit të numërimit .

Veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve

Ashtu si në të kaluarën, denoncimet për shitblerjen e votës nuk kanë munguar orët e vona të natës, pak orë para procesit të votimit, në Bashkitë Dibër e Mirditë. Angazhimi solemn i Kryetarëve të partive, sipas nenit 64 të Kodit Zgjedhor, mbetet formal dhe shitblerja e votave mbetet një fenomen i cili nuk dënohet në mënyrë serioze, publikisht prej tyre.

Deri në dt. 9 Maj 2025, sipas njoftimeve zyrtare rezulton se janë paraqitur 54 kallëzime penale në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, prej të cilave 23 kanë kaluar në fazën e hetimeve, regjistruar si procedime penale. Këto kallëzime rezultojnë përkatësisht 27 nga policia e shtetit, 9 nga SPAK, 7 nga subjektet politike, 2 nga qytetarët dhe kryesisht me nismën e prokurorisë në 9 raste.

Deri në dt.8 Maj 2025, Prokuroria e Posaçme ka komunikuar se janë administruar 123 materiale kallëzuese, ku 35 prej tyre kanë kaluar në fazën e hetimit, regjistruar si procedime penale. Nga rastet e procedura penalisht rezultojnë se 20 janë iniciuar mbi bazën e referimeve nga Policia e Shtetit, 8 janë nisur kryesisht nga SPAK, vetëm 3 kanë ardhur si rezultat i kallëzimeve nga shtetas të ndryshëm.

‘Pavarësisht se ne përshëndetëm si zhvillim shumë pozitiv, ngritjen e Task Forcës ngs SPAK, krijimin e portalit onlinë të denoncimeve nga SPAK si dhe vënien së fundmi të një numri të gjelbër për të telefonuar falas lidhur me krimet zgjedhore ditën e zgjedhjeve, sërisht vihet re që numri i denoncimeve nga qytetarët vijon të jetë shumë i ulët.

Gjithashtu, ne vlerësojmë se nisur nga rrethanat që pengojnë shumë shtetas të denoncojnë (frika nga hakmarrja apo viktimizimi), pro-aktiviteti i organit të prokurorisë në nisjen me iniciativë të rasteve duhet të ishte më i lartë, duke patur parasysh edhe komunikimet e mëhershme që monitorohej në terren fushata zgjedhore. Në tërësi, cilësojmë si zhvillim pozitiv nga pikëpamja statistikore trendin rritës të materialeve kallëzuese në të dyja prokuroritë (të rretheve gjyqësore dhe SPAK). Ndërkohë që nga pikëpamja cilësore, vendimarrjet e prokurorive do të jenë objekt i një analize të veçantë në vijimësi.

Ne vlerësojmë se vetëm në sajë të hetimeve pro aktive, të plota e të gjithëanshme, objektive dhe jo selektive, të shpejta në kohë sa i takon veprimeve të ngutshme procedurale, veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve do të hetohen e ndëshkohen në mënyrë efektive, duke kontribuar në parandalimin e tyre të posaçëm dhe të përgjithshëm’, thuhet në raport.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu