
Në fjalimin që mbajti në Michigan, Trump i cilësoi si të rreme sondazhet që tregojnë rënien e popullaritetit të tij. Më pas mbrojti edhe Elon Musk.
“Jemi këtu për të festuar 100 ditët e para më të suksesshme të çdo administrate. Dhe ky është vetëm fillimi, nuk keni parë asgjë ende.” Kështu mendon Donald Trump për veten e tij, dhe në fakt kështu e nisi tubimin e mbrëmshëm në Michigan, me të cilin shënoi fazën e parë të mandatit të tij të dytë. Në të vërtetë, një sondazh i ABC-së tregon se popullariteti i tij ka rënë në 39 për qind, niveli më i ulët në 80 vjet pas 100 ditësh në detyrë. Por e vërteta dhe faktet kanë qenë gjithmonë opsionale në strategjinë politike të kreut të Shtëpisë së Bardhë, i cili gjithmonë ka qenë i bindur se përsëritja e diçkaje pafundësisht e bën atë reale. Prandaj, në vend të një fjalimi politik, ai mbajti një tjetër tubim, si qindra të tjerë gjatë fushatës zgjedhore. Ai renditi një listë premtimesh që pretendon se i ka mbajtur, dhe premtoi se do të vazhdojë të veprojë në të njëjtën mënyrë, si kur tha se kompanitë që nuk do t’i rikthejnë fabrikat dhe vendet e punës në SHBA “do të masakrohen”.
Dita festive e Trump në fakt nisi me nënshkrimin e një urdhri ekzekutiv që lehtësonte presionin tarifor mbi sektorin e automobilave: “Ne thjesht duam të ndihmojmë gjatë kësaj periudhe tranzicioni. Është afatshkurtër.” Kështu, tarifat prej 25 për qind për makinat e importuara në Shtetet e Bashkuara do të mbeten, por nuk do t’u shtohen tarifave ekzistuese për mallra të tjera, si çeliku dhe alumini. Shtëpia e Bardhë e justifikoi vendimin me nevojën për të lehtësuar prodhuesit dhe për t’u dhënë atyre më shumë kohë për të rikthyer fabrikat në SHBA. Por nuk mungojnë analistët që këtë kthim prapa ia atribuojnë rënies së popullaritetit të presidentit në sondazhe dhe dëmit të shkaktuar tashmë nga luftërat e tij tregtare në ekonomi – dëme që konfirmohen nga rënia e besimit të konsumatorit në nivelin më të ulët që nga viti 2011.
Por Trumpi i papërmbajtshëm nuk u ndal me kaq. Para fjalimit, duke kujtuar vizitën e tij të fundit në Romë, ai tha: “Do të doja të isha Papë. Do të ishte zgjedhja ime e parë.” Më pas shtoi se “nuk kam preferencë” për pasardhësin e Françeskut, por përmendi një kardinal në Nju Jork që sipas tij mund ta kryejë punën – pikërisht Timothy Dolan, i cili ndan pozicione konservatore të ngjashme me të tijat. Duke folur për ABC, ai më vonë tha se “Kina meriton” tarifat prej 145 përqind, sepse “pothuajse çdo vend në botë vidhte nga ne dikur, por tani nuk e bën më.” Më pas, ai doli në skenë për herë të parë në Bazën e Gardës Kombëtare Selfridge, ku mbrojti shefin e Pentagonit, Pete Hegseth, i cili është goditur nga skandali “Chatgate”, por që sipas Trump “po bën një punë të mirë.”/shqiptarja